Qeveria kalon me urgjencë shpërblimin 2.5 mijë euro për policët, 2750 policë do të marrin 7.5 miliardë lekë

Edi Rama njoftoi sot paradite në një konferencë për shtyp se do të ketë një shpërblim prej 2500 eurosh për të gjithë efektivët e angazhuar në protestën e studentëve. Një deklaratë që është bërë realitet sot pasdite.

Admin
Admin

Qeveria kalon me urgjencë shpërblimin 2.5 mijë euro për policët, 2750 policë do të marrin 7.5 miliardë lekë
Teksti

Në VKM-në e publikuar në websiten zyrtar të Këshillit të Ministrave, bëhet me dije se fondi është akorduar për 2750 policë, të cilët do të marrin secili nga 2.7 milionë të vjetër afërsisht, në total 7.5 miliardë lekë.

Në vendimin e miratuar sot në mbledhjen e Këshillit të Ministrave thuhej:

DHËNIE SHPËRBLIMI PUNONJËSVE TË POLICISË SË SHTETIT DHE PËR NJË SHTESË NË BUXHETIN E MINISTRISË SË PUNËVE TË BRENDSHME, MIRATUAR PËR VITIN 2026

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, të nenit 14, të ligjit nr.87/2025, “Për buxhetin e vitit 2026”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.82/2024, “Për Policinë e Shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Dhënie shpërblimi financiar në masën prej 269 120 (dyqind e gjashtëdhjetë e nëntë mijë e njëqind e njëzet) lekësh për 2 750 (dy mijë e shtatëqind e pesëdhjetë) punonjës të Policisë së Shtetit për angazhimin e shtuar në garantimin e rendit dhe të sigurisë publike.

Në buxhetin e Ministrisë së Punëve të Brendshme, në zërin “Shpenzime korrente” të programit buxhetor “Policia e Shtetit”, shtohet fondi prej 740 080 000 (shtatëqind e dyzet milionë e tetëdhjetë mijë) lekësh.

Efekti financiar, në shumën prej 740 080 000 (shtatëqind e dyzet milionë e tetëdhjetë mijë) lekësh, që rrjedh nga zbatimi i këtij vendimi, përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, miratuar për vitin 2026.

Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit përcakton listën emërore të punonjësve të policisë përfitues bazuar në dokumentacionin justifikues dhe kryen procedurat për dhënien e shpërblimit.

Ngarkohen Ministria e Financave, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

1 min lexim

Komente

Duke ngarkuar komentet…