LiveVendi

Sindikata e Universiteteve nis zbatimin e bojkotit të mësimit në të gjitha universitetet publike

Sindikata e Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë (SPUSH) ka nisur bojkotin e mësimdhënies në të gjitha universitetet publike të vendit, në solidaritet me studentët dhe nxënësit që protestojnë.

Admin
Admin

· Përditësuar

Në ditën e nëntë të protestës, pedagogët bashkohen me studentët në orën 10:00: Çdo ditë në shesh deri në dorëheqjen e Ramës!
Teksti
1 përditësim
Ngjarjet kryesore▾

E fundit · Postim i fiksuar

09:37Ngjarje kryesore

Sindikata e Universiteteve nis zbatimin e bojkotit të mësimit në të gjitha universitetet publike

Sindikata e Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë (SPUSH) ka nisur bojkotin e mësimdhënies në të gjitha universitetet publike të vendit, në solidaritet me studentët dhe nxënësit që protestojnë.

Vendimi u mor njëzëri nga kryesia e sindikatës, më 20 tetor, ndërsa bojkoti nis më 21 tetor dhe do të vijojë deri në një njoftim të dytë.

Në njoftimin zyrtar, sindikata shprehet se studentët protestojnë prej muajsh për arsim cilësor, shëndetësi dinjitoze, sigurinë e jetës dhe pronës, si dhe llogaridhënien. Sipas saj, përgjigjja ndaj kërkesave të tyre ka qenë heshtja dhe, që prej 13 tetorit, edhe dhuna.

“Studentët protestojnë prej muajsh për arsim cilësor, shëndetësi dinjitoze, siguri jete e prone, për të drejtën e llogaridhënies etj. Përgjigjja që kanë marrë nuk ka qenë dialogu, por heshtja dhe, që nga 13 tetori dhe në vijim, edhe dhuna ekstreme. Pedagogët nuk mund të vazhdojnë mësimin si zakonisht, ndërkohë që studentët e tyre goditen në rrugë. Pedagogët ndajnë të njejtat opinione me studentet në lidhje me zhvillimet politike, ekonomike, korrupsionin galopant, mungesën e meritokracisë etj”, thuhet në njoftimin e Sindikatës mbi arsyet e bojkotit.

SPUSH kërkon ndalimin e menjëhershëm të dhunës ndaj studentëve dhe protestuesve paqësorë, hetim të pavarur dhe transparent për përdorimin e forcës, vënien para përgjegjësisë të personave përgjegjës, trajtimin dinjitoz të studentëve të shoqëruar dhe plotësimin e kërkesave të protestuesve.

“Kërkojmë ndalimin e menjëhershëm të përdorimit të dhunës ndaj studentëve dhe protestuesve paqësorë; Hetimin e pavarur dhe transparent në lidhje me përdorimin e forcës që nga data 13 tetor e në vijim, si dhe vënien para përgjegjësisë së atyre që e kanë urdhëruar dhe ushtruar këtë dhunë të pashembullt; Trajtimin e ligjshëm dhe dinjitoz të çdo studenti të shoqëruar; Plotësimin e kërkesave të studentëve dhe nxënësve”.

Sindikata u bën thirrje rektorëve dhe drejtuesve të institucioneve publike të arsimit të lartë të respektojnë vendimin dhe të mos marrin masa disiplinore ndaj pedagogëve dhe studentëve pjesëmarrës.

Përveç bojkotit të mësimit, pedagogët do të marrin pjesë aktivisht në protestë. Çdo ditë, në orën 10:00, ata do të mblidhen para Korpusit Qendror të Universitetit Politeknik të Tiranës për të vijuar mbështetjen ndaj studentëve.

Sindikata thekson se orët e mësimit do të kompensohen më vonë dhe u kërkon pedagogëve të qëndrojnë në komunikim me studentët, duke u ofruar mbështetje dhe materiale didaktike sipas nevojës.

“Bojkoti nuk është braktisje e auditorit”, thuhet në njoftim, ku theksohet se pedagogët do të rikthehen në mësim sapo studentët të marrin përgjigjen që meritojnë.

Sindikata e Universiteteve nis zbatimin e bojkotit të mësimit në të gjitha universitetet publike

Më herët

09:32

Në ditën e nëntë të protestës, pedagogët bashkohen me studentët në orën 10:00: Çdo ditë në shesh deri në dorëheqjen e Ramës!

Përfshirja e pedagogëve shënon një zhvillim të ri në protestat që po zhvillohen në Tiranë, duke e shtrirë kundërshtimin ndaj qeverisë edhe në radhët e stafit akademik të universiteteve.

Kreu i Sindikatës së Pedagogëve, Sandër Kovaçi, i ka kërkuar kryeministrit Edi Rama të japë dorëheqjen, duke e cilësuar këtë si një zgjidhje politike për situatën e krijuar në vend.

Kovaçi akuzoi qeverinë se nuk ka dëgjuar kërkesat e studentëve dhe se në vend të dialogut ka zgjedhur t’u përgjigjet protestave me dhunë. Sipas tij, mungesa e reagimit ndaj protestave paqësore ka sjellë përshkallëzimin e revoltës së të rinjve.

“Kjo është një qeveri që nuk dëgjon. Meqë nuk dëgjoi studentët, është logjike që do eskalonte kjo lëvizje. Kur nuk u përgjigjesh protestave paqësore, do presësh protestues të revoltuar. Fatkeqësisht qeveria dhe kryeministri në vend që t’u përgjigjej protestuesve paqësorë, sot ajo iu përgjigj me dhunë. Ajo që është më e keqja është se ne kemi parë edhe persona civilë që rrezikojnë jetën e qytetarëve, ne si profesorë jemi të shqetësuar. Brutaliteti ndaj rinisë shqiptare është i papranueshëm. U bëjmë thirrje përfaqësive ndërkombëtare, ambasadave që të hedhin sytë nga Shqipëria dhe nga ky brutalitet”, deklaroi Kovaçi.

Kreu i sindikatës shprehu shqetësimin për dhunën e pretenduar ndaj protestuesve, veçanërisht të rinjve, duke kërkuar edhe vëmendjen e përfaqësive diplomatike ndërkombëtare në Tiranë.

Ndërkohë, një ditë më parë, studentët dhe të rinjtë refuzuan ofertën e kryeministrit Edi Rama për dialog, ndërsa protesta vijon të marrë mbështetje edhe nga pedagogët, të cilët kanë paralajmëruar vijimin e përditshëm të tubimeve deri në dorëheqjen e kreut të qeverisë.

Përditësuar më E Mërkurë, 21 tetor 2026, 09:37 CEST

1 min lexim

Komente

Duke ngarkuar komentet…