Vlerat e mëdha testohen në vendet e vogla

BE thuajse e braktisi modelin paqësor dhe i dha prioritet të fortit dhe të korruptuarit në pushtet. Madje, ambasadori i BE në Tiranë e mbylli karrierën e Tiranë me një dekoratë nga i forti i Shqipëtisë.

Nebi Bardhoshi
Nebi Bardhoshi

Text

Më kujtohet një bisedë me një koleg francez. Ishte viti 2012, ndodheshim në Napoli të Italisë. Bisedonim mbi vlerat e BE-së dhe praktikën në jetën e përditshme. Unë po i thoja se BE-ja për shqiptarët është si një horizont shprese dhe si një referencë morale. Ai, me një nënqeshje, që është si tipar përshkrues i studiuesve në Francë, shtoi: “Mua më vjen mirë që vendet jashtë BE-së kanë këtë vizion. Dhe besoj shumë që ky është efekti më pozitiv që ka sjellë BE-ja.” Më pas shtoi: “Unë ende s’e kuptoj pse BE-ja vendosi të ndryshojë llojin e prizave në disa vende thjesht për t’i uniformizuar.”

U morëm vesh dhe metafora ishte e gjetur. Nuk iu desh dhe shumë imagjinatë, sepse BE-ja, për shkak të politikave uniformizuese, ka bërë edhe ndërhyrje të tilla banale.

Në të vërtetë, BE-ja ka një politikë uniformizuese për Ballkanin. Në vend të prizave, mendon se ballkanasit meritojnë të njëjtin lidership dhe kanë përkrahur më të fortin e jo më të drejtin. Edhe pse i kanë përkrahur publikisht të fortit, këtë e fshehin nën termin e stabilokracisë dhe nën petkun se kaq meritojnë këto shoqëri. Pra, dy qasje cinike uniformizuese. E njëjta sjellje ka ndodhur katër muaj në Tiranë. Veçse tani ka shumë ndryshime. E para, se protestat ishin bazuar në vlerat më themelore të BE-së. E dyta, se ato u ushtruan nën modalitetin më paqësor të mundshëm. E treta, i gjithë BE-ja dhe audienca ndërkombëtare ishte e mirëinformuar nga mediat më prestigjioze. E katërta, përfaqësues të Parlamentit Europian erdhën dhe mbështetën. Kësisoj, Revolucioni i Flamingove vuri në test vetë BE-në, se sa drejtuesit e sotëm i besojnë vlerat europiane. Përfaqësuesit e Komisionit zgjodhën stabilokracinë, pasi tashmë teza se kaq meritojnë si popull, nënkupto një të fortë e të korruptuar, kishte rënë përtokë. Madje, pati zëra se ky revolucion do të shërbejë si model për vende të tjera.

BE-ja thuajse e braktisi modelin paqësor dhe i dha prioritet të fortit dhe të korruptuarit në pushtet. Madje, ambasadori i BE-së në Tiranë e mbylli karrierën në Tiranë me një dekoratë nga i forti i Shqipërisë. Pranoi një dekoratë që veç në Shqipëri e lëshon kryeministri, një atribut i vjedhur presidencës.

Tani ka pesë ditë protesta me një modalitet tjetër, të imponuar nga tallja e Ramës, por edhe mosreagimi me dinjitet i BE-së. Protesta që ngjajnë shumë me ato në Francë. Veçse këtu kemi sërish “priza” të ndryshme. Por ama, sa terror policor kam parë personalisht vetëm dje në Tiranë, zyra e BE-së në Tiranë dhe në Bruksel duhet të ishte lebetitur. Por jo.

Shqiptarët vijojnë të jenë populli më proeuropian.

@Fb, N.B.

Last modified Sat, 17 Oct 2026 18:05 CEST

2 min read

Comments

Loading comments…