
Putini po përsërit gabimin e madh të Hitlerit me Kievin
Peter Caddick - Adams
Mesazhe fitoreje u dërguan nga tubimi i fundit i Listës Studentore në Serbi. Pas këngëve dhe shpresës, mbetet pyetja se a mund të kalojë dita e zgjedhjeve në Serbi pa probleme.

"Isha atje herën e fundit por edhe më parë. Dua t'i mbështes të rinjtë”, thotë Dragana*, e cila edhe vetë është e re. Pranë saj, në rrugën Kralja Milana, mijëra njerëz marshojnë drejt Slavisë.
Ajo punon, siç thotë vetë, në një kompani private që merret me makineri bujqësore, por që është e lidhur me një parti politike. Të gjithë e dinë me cilën parti. Atje, punonjësit detyrohen të sigurojnë vota, të marrin pjesë në tubime dhe të tregojnë besnikëri politike ndaj partisë në pushtet.
"Dua që gjërat të fillojnë të ndryshojnë”, thotë Dragana. "Nuk mendoj se korrupsioni mund të çrrënjoset plotësisht në vendin tonë, jam realiste për këtë. Por të paktën nuk do të jetë më kështu si tani.”
Sheshi është i mbushur me njerëz. Zhurma është e madhe. Flamujt valëviten nën një ekran gjigant reklamash, ku alternohen pamjet e Aleksandar Vuçiqit dhe Ivica Daçiqit.
Ka shumë flamuj serbë dhe pankarta me numrin tre. Shihen flamuj me kryqe, me figurën e Jezusit, madje edhe me logon e Ferrarit. Një person mban flamurin e Mbretërisë së Rohanit nga bota e Tolkienit. Janë kalorësit e famshëm që, në versionin filmik, thyen rrethimin e Helm's Deep, i cili ishte i rrethuar nga forcat e errësirës.
Nuk ishte vetëm një turmë njerëzish që vërshoi në Slavia. Sipas Arkivit të Tubimeve Publike, numri i pjesëmarrësve arriti deri në 150 mijë. Bashkë me ta vërshuan edhe dy vjet zemërim, rebelim dhe shpresë, por edhe ankth, në prag të ditës së zgjedhjeve
Sondazhet mbi disponimin e votuesve publikohen rrallë në Serbi. Por edhe kur publikohen, shpesh vihen në dyshim. Megjithatë, burime të DW-së të njohura me hulumtimet e fundit thonë se gara do të jetë shumë e ngushtë.
Përplasja mes dy blloqeve kryesore politike, atij të mbledhur rreth ish-presidentit Aleksandar Vuçiq dhe listës së mbështetur nga studentët, mund të vendoset nga diferenca shumë të vogla. Ndoshta edhe nga kombinimet paszgjedhore.
Kush do ta kalojë pragun zgjedhor? Në anën e kujt do të rreshtohen pakicat? Tani për tani ka më shumë pyetje sesa përgjigje.
Ekziston një ndjenjë frike, ose të paktën tensioni, para procesit të votimit.
"Nuk ka kohë për frikë tani”, i tha Dragana DW-së. "Zgjedhjet mund të manipulohen, por nuk ka kuptim të mendojmë për këtë tani. Ne jemi këtu dhe kaq.”

Partia Përparimtare Serbe (SNS e Vuçiqit) ka ndërtuar prej kohësh një makineri elektorale që lëviz në një zonë gri ligjore. Regjistrimi i dyfishtë i votuesve, votimi i organizuar nëpërmjet rrjeteve partiake dhe blerja e votave janë fenomene të dokumentuara vazhdimisht.
Megjithatë, kjo është hera e parë që pala kundërshtare po organizohet për t'i kundërshtuar këto mekanizma. Lëvizja studentore ka formuar edhe të ashtuquajturat "ekipe mobile”, të cilat pritet të jenë të pranishme pranë qendrave të votimit ku veprojnë aktivistët e partisë në pushtet. Në një demokraci më të konsoliduar, situata të tilla do të konsideroheshin anormale, por në Serbi ato tashmë janë të njohura publikisht.
Në Slavi, megjithatë, nuk flitet për manipulime të mundshme, por për fitore.
Natalija Stefanoviq, studente në Fakultetin e Arteve Dramatike, deklaroi nga skena se aty ishin mbledhur njerëz "që nuk u thyen nga presioni, por u forcuan në betejë”.
"Ka erë lirie”, tha Aleksandar Çupiq, profesor në Fakultetin e Transportit dhe Komunikacionit, i cili interpretoi një këngë kushtuar lëvizjes studentore me melodinë e njohur "Hajde Jano”.
Të gjithë folësit mbanin në duar Kushtetutën e Serbisë.
Lexo edhe:
E bujshme/ Hakerohet telefoni i Jared Kushner, dalin miliardat në llogaritë sekrete me sauditëtNë opinionin publik mbizotëron bindja se Lista Studentore po mbështetet te një dalje e lartë në votime. Demografët vlerësojnë se këto mund të jenë zgjedhjet parlamentare me pjesëmarrjen më të madhe në tridhjetë vitet e fundit. Sipas tyre, Vuçiqi disponon një elektorat të qëndrueshëm dhe çdo votues shtesë që del në zgjedhje të dielën mund të favorizojë kundërshtarët e tij.
"Studentët kanë arritur gjëra që deri dje dukeshin të paimagjinueshme. Ata kanë zgjuar qytetarët nga apatia dhe kanë rikthyer shpresën për një të ardhme më të mirë”, thotë Ivan Stanojeviq, profesor në Fakultetin e Shkencave Politike në Beograd.
Sipas tij, fushata studentore, si edhe karakteri demokratik i listës, përbëjnë një fenomen pothuajse unik.
"Qytetarët e kanë të qartë se duhet të dalin në votime që herët në mëngjes. Një pjesëmarrje e tillë krijon efektin e topit të dëborës dhe nxit edhe më shumë votues të tjerë të dalin në zgjedhje. Kjo i shkon për shtati listës studentore, e cila ka depërtuar në segmente të ndryshme të elektoratit që tradicionalisht voton për partitë në pushtet.
Regjimi po përpiqet me dëshpërim të ruajë mbështetjen e pensionistëve dhe të punonjësve të sektorit publik që ndihen të shantazhuar”, tha Stanojeviq për DW.

Pas këtij tubimi mund të thuhet se Lista Studentore e kaloi me sukses fushatën zgjedhore.
Si një forcë e re politike, me një listë gjithëpërfshirëse ku përfaqësohen bindje të ndryshme politike, ajo u përqendrua te temat që bashkojnë: lufta kundër korrupsionit, rivendosja e shtetit ligjor dhe funksionimi i institucioneve.
Temat që mund të krijonin përçarje brenda elektoratit të saj, si Bashkimi Evropian, Rusia, Kosova apo Srebrenica, u lanë mënjanë. Shumica e votuesve opozitarë e kanë mirëpritur këtë qasje.
Në pazarin e Beogradit, midis politikanëve, analistëve dhe gazetarëve, mbizotëron bindja se dita e zgjedhjeve do të shkojë në "kohë shtesë". Se rezultati mund të jetë i tillë që të dyja palët të shpallin fitoren. Askush nuk mund ta provojë këtë, është më shumë një ndjenjë e brendshme.
Vetë Vuçiqkontribuoi në këtë me mesazhe kontradiktore. Ai tha se nëse humbet, do t'i përgëzojë menjëherë kundërshtarët e tij, pak pas orës 22:00. Por në një nga paraqitjet e tij të shumta për TV Informer, ai tha edhe këtë:
"Do të them të gjitha më të këqijat për ta menjëherë në mbrëmje, dhe menjëherë në mbrëmje do të filloj të luftoj kundër tyre! Dhe pastaj ata do të shohin se çfarë janë bllokadat, çfarë janë bojkotet dhe çfarë janë mrekullitë e tjera! Ata mendojnë se 'do t'i arrestojmë të gjithë'... do të shihni se si do të shkojë!"
Të dyja palët dërguan një mesazh në ditën e fundit të fushatës - se ata padyshim po fitojnë. Për lëvizjen studentore, është një mesazh ndryshimi. Për qeverinë, një mesazh se asgjë nuk mund të ndryshohet.
Mund dhe do të ndryshohet, thotë Vidoje Puriq (75). Ai erdhi nga Loznica në Beograd. Sipas sondazheve, pensionistët kryesisht zgjedhin qeverinë, por Puriqit nuk i shkon kurrë ndërmend të votojë për Vuçiqin. "Ata janë njerëzit e varfër që shikojnë propagandën e tyre, por edhe kjo do të marrë fund.”
Puriq nuk ka aspak frikë nga e diela. "Bota i lihet brezit të ri. Kush nuk e di këtë, është më mirë të mos ekzistojë fare”, thotë ai me një buzëqeshje dhe i bashkohet turmës.
*Emri i vërtetë është ndryshuar në tekst
@DW Shqip

Më të lexuarat: Opinione
Më shumë nga Forum

Peter Caddick - Adams



Gideon Rachman

Ulf Poschardt


Peter Caddick - Adams

Komente
Duke ngarkuar komentet…