Italia nën pushtetin e protestave, dhjetëra mijëra studentë e punëtorë në rrugë kundër politikave të Melonit

Admin
Admin

Italia nën pushtetin e protestave, dhjetëra mijëra studentë e punëtorë në rrugë kundër politikave të Melonit
Text

Mijëra studentë, punëtorë, mësues dhe aktivistë kanë dalë këtë të premte në rrugët e disa qyteteve të Italisë, në kuadër të grevës së përgjithshme të thirrur nga sindikata bazë USB. Protestat janë zhvilluar kundër rritjes së kostos së jetesës, luftës dhe politikave të riarmatimit, ndërsa në qendër të kërkesave janë edhe financimi i arsimit dhe shëndetësisë publike, si dhe përmirësimi i kushteve të punës.

Demonstratat kanë përfshirë qytete të ndryshme, nga Palermoja në jug deri në Torino në veri të vendit. Në disa prej tyre marshimet janë zhvilluar pa incidente, ndërsa në Mestre dhe Vicenza janë raportuar përplasje me forcat e policisë dhe protestues të plagosur.

Në Palermo, më shumë se 2 mijë persona, mes tyre studentë, punëtorë dhe përfaqësues të sindikatave, janë bashkuar në marshimin që nisi nga Piazza Castelnuovo dhe vijoi në drejtim të portit. Protestuesit kanë kundërshtuar rritjen e çmimeve të produkteve bazë, qirave dhe faturave të shërbimeve, duke kërkuar njëkohësisht më shumë fonde për shëndetësinë publike.

Në protestë janë bashkuar edhe sindikatat e arsimit dhe studentët, të cilët kanë ngritur shqetësime për gjendjen e ndërtesave shkollore dhe kushtet në institucionet arsimore. Në pankartat e tyre shfaqeshin mesazhe si: “Të ardhura dhe kujdes shëndetësor për të gjithë, le të paguajnë të pasurit për krizën”. Sipas raportimeve nga terreni, në Palermo situata është monitoruar nga forcat e rendit dhe nuk janë regjistruar tensione gjatë nisjes së marshimit.

Miano Në Milano, disa qindra studentë janë mbledhur në Piazza Leonardo da Vinci, përpara Politeknikut, për t’iu bashkuar mobilizimit kundër kostos së lartë të jetesës, riarmatimit dhe në mbrojtje të së drejtës për arsim. Në protestë kanë marrë pjesë grupe studentore, qendra sociale Lambretta, Potere al Popolo dhe sindikata CUB. Në shesh janë shfaqur edhe flamujt e Palestinës, Shqipërisë dhe Kubës.

Përmes mikrofonave, organizatorët u kanë bërë thirrje qytetarëve të dalin në rrugë dhe të kundërshtojnë politikat që, sipas tyre, po rëndojnë jetën e përditshme të njerëzve. Ndër pankartat e mbajtura nga protestuesit ishin mesazhet: “Çrregullimi i vërtetë është padrejtësia”, “Problemi nuk është i huaji, por mungesa e arsimit” dhe “Le ta rimarrim të ardhmen”.

Ndërkohë, itinerari i marshimit është ndryshuar nga plani fillestar. Protestuesit kanë vijuar drejt Via Bonardi, Viale Romagna, Piazzale Piola dhe Via Ampere, për t’u bashkuar më pas me marshimin e punëtorëve në Piazza Durante, në vend të Piazzale Loreto, siç ishte parashikuar fillimisht.

Kozenca Edhe në Kozenca mobilizimi ka qenë i gjerë. Mbi 1 500 studentë dhe punëtorë janë mbledhur në Piazza Loreto për t’iu bashkuar grevës së përgjithshme të thirrur nga USB. Në marshim kanë marrë pjesë studentë, mësues të shkollave dhe universiteteve, fermerë me traktorët e tyre, shoferë kamionësh, pronarë biznesesh të vogla, aktivistë dhe përfaqësues të sindikatave. Pjesëmarrja e grupeve të ndryshme profesionale ka zgjeruar karakterin e protestës, e cila ka bashkuar kërkesat për paga dhe kushte më të mira jetese me kundërshtimin ndaj luftës dhe riarmatimit.

Torino Një mobilizim i madh është raportuar edhe në Torino. Një prej folësve që drejtonte marshimin nga një automjet me altoparlantë deklaroi se në protestë ishin mbledhur më shumë se 50 mijë persona. Në tubim është shfaqur edhe një banderolë në mbështetje të mobilizimit të punëtorëve të porteve në 22 vende të botës. Protestuesit e kanë cilësuar grevën e punëtorëve të porteve si një mënyrë për të kundërshtuar transportin e armëve dhe për të ndalur mbështetjen logjistike për luftën. Sipas tyre, kur ndalet lëvizja e armëve dhe e mallrave, bëhet e dukshme fuqia e organizimit të punëtorëve. “Punëtorët e bashkuar, nëse luftojnë së bashku, mund të ndryshojnë rrjedhën e gjërave”, ishte mesazhi i përcjellë gjatë marshimit. Protestuesit deklaruan se kundërshtojnë gjenocidin, shtypjen dhe riarmatimin, ndërsa kërkojnë më shumë investime në arsim, punësim dhe shëndetësi.

Mestre Ndërsa në disa qytete protestat janë zhvilluar pa incidente, në Mestre, në zonën metropolitane të Venecias, janë regjistruar momente tensioni. Kur marshimi i studentëve dhe punëtorëve mbërriti pranë mbikalimit që të çon drejt Venecias, protestuesit u përballën me një kordon policor që u bllokoi rrugën. Një pjesë e demonstruesve tentoi të çante kordonin, por ndërhyrja e policisë me shkopinj gome ndaloi përpjekjen.

Vicenza Përplasje janë raportuar edhe në Vicenza, ku sipas organizatorëve të marshimit, tre pjesëmarrës kanë mbetur të plagosur gjatë përballjes me policinë pranë rrugës unazore. Njëri prej tyre është goditur në kokë nga një bombol gazi lotsjellës, ndërsa dy të tjerët kanë pësuar dëmtime të tjera. Organizatorët deklaruan se protestuesit po përpiqeshin të kalonin bllokadën policore, por marshimi u ndalua nga ndërhyrja e forcave të rendit me autobote uji.

3 min read

Share this story

Comments

Loading comments…