Propaganda, kriza dhe zgjidhja

"Ku janë provat? Përse kritikoni? Jemi më mirë se kurrë. Po ia kalojmë edhe Gjermanisë. Ne bëjmë shtet. Po bëjmë histori. Askush më mirë se ne. Ata që kritikojnë janë e keqja e vendit. Ka komplot të huaj kundër qeverisë. Le të lehin...karvani ecën përpara!"

Afrim Krasniqi
Afrim Krasniqi

Text

"Ku janë provat? Përse kritikoni? Jemi më mirë se kurrë. Po ia kalojmë edhe Gjermanisë. Ne bëjmë shtet. Po bëjmë histori. Askush më mirë se ne. Ata që kritikojnë janë e keqja e vendit. Ka komplot të huaj kundër qeverisë. Le të lehin...karvani ecën përpara!"

Kjo është retorika standarde e zyrtarëve të mazhorancës, - një pjesë nga udhëzuesi me të cilin të gjithë duhet të prezantohen me video ose në debate televizive. Duhet ta mësojnë përmendësh dhe ta recitojnë sa herë ndeshen me kritika. Ky është ushqimi ditor për makinën propagandistike dhe militantët, përfshirë edhe mediat e paguara nga buxheti shtetëror dhe oligarkët.

Realiteti? Krejt tjetër. Shikoni statistikat zyrtare perëndimore. Çdo zyrtar dhe gazetar perëndimor që merret me Shqipërinë dhe punon mbi Shqipërinë ka pasur mbrëmë në email ose kompjuter raportin më të fundit “The 2026 WJP Rule of Law Index”, i cili vlerëson gjendjen e demokracisë dhe shtetit të së drejtës në të gjithë globin. Sic shihet nga tabela, Shqipëria ka rënie të lirë në të gjithë treguesit, duke u renditur në vendin e 91 në 143 shtete, pas Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut madje edhe Bosnjes. Serbia rivalizon me tregues negativ me Shqipërinë. Kroacia është shkëputur nga zona gri ballkanike dhe tashmë matet me standardet e vendeve të BE. Kur ka raporte të tilla, të hartuara nga grupe ekspertësh ndërkombëtarë dhe institucione prestigjioze çdo elitë politike dhe vendimmarrësit përgjegjës e analizojnë, e komentojnë, reflektojnë, marrin përgjegjësi dhe projektojnë masa përmirësuese reformatore për të ardhmen.

Në Shqipëri? Oferta e vetme është zgjidhja bjelloruse: ata që janë kundër do të privohen nga të drejtat kushtetuese të ndihmës sociale, të drejtat e lëvizjes jashtë dhe brenda vendit, të drejtat e përdorimit të aseteve publike të shërbimit, si dhe do të ketë penalizim kolektiv familjar, në çdo rast, pa një vendim gjyqësor. Kjo është “paketa reformatore” që kryeministri prezantoi ditët e fundit dhe MAS, MPB dhe Guvernatori mbajtën shënim për ta zbatuar.

Zgjidhja? Ky vend ka nevojë jetike për frymëmarrje demokratike, reforma, transparencë, llogaridhënie, drejtësi dhe antikorrupsion, për politikanë të pastër, me energji, me kulturë politike bashkëkohore dhe me ide ndryshimi cilësor. Sa më parë aq më mirë, sa më qartë aq më mirë - duke llogaritur edhe fundin e tranzicionit, - nevojën për ndarje nga modelet e partive private dhe modelet autoritariste, familjare, klienteliste, komuniste dhe korruptive në dy anët e Lanës, për të rikthyer ose vendosur standarde të demokracisë funksionale dhe shtetit të së drejtës të krahasueshme miminumi me Kroacinë.

Raporti i plote mund te lexohet ketu: https://worldjusticeproject.org/rule-of-law-index/global/2026/Albania/?fbclid=IwY2xjawVGnzlleHRuA2FlbQIxMABwZG9mBWJyaWQRMUZkd0hZUWpsVUdMOTU0NHJzcnRjBmFwcF9pZBAyMjIwMzkxNzg4MjAwODkyAAEeGkYiXPZ6T4ob723TPXbBNKspHj5Q0HH5xjGK7LEl1V-cQyEMds3XmMAJCys_aem_pOeBI441cuVDzm0Z971Iug

@facebook.com/afrim.krasniqi.50

Shënim: Titulli është i redaksisë.

Last modified Thu, 22 Oct 2026 10:07 CEST

2 min read

Comments

Loading comments…