Doktor, bëja “bam” një herë në pleqëri!

Padyshim që ju nuk jeni në krye të listës së përgjegjësve për atë që po ndodh sot në Shqipëri dhe zgjidhja nuk mund të kërkohet te ju. Por ju jeni padyshim pjesë e përgjegjësisë për gjithçka është bërë keq këto 35 vjet. Ndaj, ju duhet të ndihmoni për të gjetur zgjidhjen.

Mentor Kikia
Mentor Kikia

Text

Z. Berisha,

Padyshim që ju nuk jeni në krye të listës së përgjegjësve për atë që po ndodh sot në Shqipëri dhe zgjidhja nuk mund të kërkohet te ju. Por ju jeni padyshim pjesë e përgjegjësisë për gjithçka është bërë keq këto 35 vjet. Ndaj, ju duhet të ndihmoni për të gjetur zgjidhjen.

Ju mund të ndihmoni duke mos qenë një alternativë!

Çfarë do të thotë kjo?

Ju e dini shumë mirë se, nëse nga SHBA-ja dhe BE-ja, në fillim të javës, do të kishte pasur mesazhe të tjera, të ndryshme nga ato që u lëshuan, situata nuk do të ishte kjo që është sot. Që do të thotë se “faktori ndërkombëtar” është ende shumë i rëndësishëm.

Ju e dini, gjithashtu, se në tryezat e “ndërkombëtarëve” mund të ketë 100 skenarë se si mund të largohet Rama, por vetëm njëri nuk është: ai që Rama të zëvendësohet nga Berisha.

Këtë Rama e di dhe e përdor si varkë shpëtimi, përmes retorikës: “Ja, iku Rama, po kush do të vijë? Berisha përsëri?”

Këtu, me të drejtë, shumica e shqiptarëve thonë “JO”!

● Sepse zgjidhja nuk është shkarkimi i të gjithë drejtorëve, as i të gjithë ministrave, as i gjithë qeverisë dhe parlamentit bashkë, por shkulja e një sistemi, pjesë e të cilit jeni edhe ju.

● Sepse livadhi juaj i pushtetit tashmë është tharë. Ju mund t’i hidhni pleh dhe ujë, por ai nuk mbin më.

● Sepse njeriu mund të luftojë me gjithçka, vetëm me kohën e tij jo. Atë nuk e kthen dot mbrapsht, nuk i jep dot “reply” as jetës, as karrierës.

Shkurt, ju nuk duhet të jeni kandidat për kryeministër i PD-së, partisë që potencialisht mund të marrë pushtetin në një rotacion të mundshëm me socialistët.

Ndaj, bëjini një shërbim Shqipërisë: deklarojeni publikisht tërheqjen tuaj nga ambicia për të qenë kryeministër.

Lërjani historisë t’ua përcaktojë vendin ku do të qëndroni!

Çlirojeni politikën nga “gogoli Berisha”, që rri pas derës për të zënë karrigen sapo Rama të dalë nga zyra.

Ju jeni vërtet frymëzim për Partinë Demokratike, por jeni edhe pengesë që ajo të marrë pushtetin.

Përtej deformimit të zgjedhjeve përmes një mijë mekanizmave nga qeveria, “Sali Berisha kryeministër” nuk është dhe nuk duhet të jetë një opsion.

Dhe kjo ka koston e saj elektorale!

Jepini një shans opozitarizmit politik të bashkohet me opozitarizmin qytetar, i cili sot është dukshëm më i madh.

P.S. Ju, mbështetës të z. Berisha, para se të filloni nga sharjet, lexojeni edhe një herë atë që kam shkruar dhe pastaj shkruani ç’të doni.

@Fb, M.K.

2 min read

Share this story

Comments

Loading comments…