MABCO e Pacollit kallëzon në SPAK zyrtarët e QKB, transferuan 47% të aksioneve të aeroportit të Vlorës

Konflikti për kontrollin e Aeroportit të Vlorës, MABCO kallëzon në SPAK zyrtarët e QKB-së për transferim të paligjshëm të aksioneve në kundërshtim me vendimet gjyqësore dhe detyrimet kontraktore të koncesionit.

Admin
Admin

MABCO e Pacollit kallëzon në SPAK zyrtarët e QKB, transferuan 47% të aksioneve të aeroportit të Vlorës
Text

Konflikti për kontrollin e Aeroportit të Vlorës, i cili ka kaluar tashmë në arbitrazh ndërkombëtar, është përshkallëzuar më tej përmes një kallëzimi penal në SPAK kundër zyrtarëve të Qendrës Kombëtare të Biznesit, administratorit Vegim Hoxha dhe përfaqësuesve të 2A Group, pas regjistrimit të transferimit të 47% të kuotave të investitorit zviceran MABCO, në kundërshtim me vendimet gjyqësore dhe detyrimet kontraktore të koncesionit.

Më 19 tetor 2026, Qendra Kombëtare e Biznesit regjistroi ndryshimin e strukturës së pronësisë së shoqërisë koncesionare Vlora International Airport, duke ulur pjesëmarrjen e MABCO Constructions SA nga 98% në 51% dhe duke rritur atë të shoqërisë 2A Group nga 2% në 49%. Vendimi u mor në një kohë kur vlefshmëria e kontratës mbi të cilën mbështetet transferimi i 47% të kuotave vazhdon të jetë objekt i një konflikti gjyqësor, ndërsa mbi kuotat e kontestuara, sipas investitorit zviceran, rëndonte një masë sigurimi që ndalonte tjetërsimin e tyre.

Për këto veprime, MABCO ka depozituar një kallëzim penal në SPAK, duke kërkuar hetimin e zyrtarëve të QKB-së, administratorit Vegim Hoxha, Valon Ademit dhe përfaqësuesve të 2A Group. Kallëzimi mbështetet në dyshimet se regjistrimi është kryer duke shpërfillur jo vetëm kufizimet gjyqësore, por edhe mungesën e miratimit të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, si autoriteti kontraktor i koncesionit, dhe të Bankës Kombëtare Tregtare, në favor të së cilës kuotat janë vendosur si garanci për financimin e projektit.

• Pacolli publikon letrën që i ka dërguar Karakaçit: Na lejoni të përfundojmë aeroportin e Vlorës 14 Shtator, 22:11

Aeroporti i Vlorës është një projekt koncesionar, i ndërtuar mbi një kontratë me shtetin shqiptar dhe i financuar përmes angazhimeve të konsiderueshme bankare. Për këtë arsye, ndryshimet në strukturën e pronësisë nuk mund të shkëputen nga detyrimet që burojnë prej kontratës së koncesionit, marrëveshjeve të financimit dhe vendimeve gjyqësore. Aq më tepër kur konflikti ka kaluar në arbitrazh ndërkombëtar dhe investitori zviceran ka nisur procedurat për mbrojtjen e investimit edhe në raport me shtetin shqiptar.

QKB regjistroi transferimin në kundërshtim me masën e sigurimit të gjykatës

Një nga shkeljet kryesore të denoncuara nga MABCO lidhet me mosrespektimin e masës gjyqësore që ndalonte tjetërsimin e kuotave objekt konflikti. Sipas shkresës së përmbaruesit gjyqësor të datës 21 tetor 2026, regjistrimi i kryer nga QKB bie në kundërshtim me masën e sigurimit të vendosur përmes vendimit të datës 22 dhjetor 2025, të Gjykatës së Apelit, e cila ishte vënë në ekzekutim dhe ishte publikuar më parë nga vetë QKB-ja.

Kjo rrethanë është thelbësore për vlerësimin e veprimeve të institucionit, pasi, sipas dokumentacionit të paraqitur nga investitori zviceran, QKB kishte dijeni zyrtare për ekzistencën e kufizimit gjyqësor, por megjithatë lejoi regjistrimin e transferimit. Nëse rezulton se masa ndaluese ishte ende në fuqi dhe e zbatueshme për këtë veprim, atëherë problemi nuk kufizohet te një interpretim i ndryshëm i dokumenteve të shoqërisë, por ngre çështjen e respektimit të një vendimi gjyqësor nga një institucion publik. Përmbaruesi ka paralajmëruar gjithashtu se do të depozitojë kallëzim penal ndaj personave përgjegjës për regjistrimin.

Konflikti për kontrollin e aeroportit ka kaluar gjatë muajve të fundit në disa shkallë të gjyqësorit shqiptar. Në maj 2026, Gjykata e Lartë riktheu të drejtat e MABCO-s, ndërsa më 5 qershor u vendos një tjetër masë sigurimi që ruante gjendjen ekzistuese të administrimit të shoqërisë. Kjo masë e fundit u rrëzua nga Gjykata e Apelit më 7 tetor, duke hequr kufizimet për ushtrimin e të drejtave të investitorit zviceran. Megjithatë, sipas MABCO-s, vendimi i Apelit nuk kishte shfuqizuar masën e dhjetorit 2025 që ndalonte tjetërsimin e kuotave, çka do të thotë se heqja e kufizimeve për administrimin e shoqërisë nuk nënkuptonte automatikisht lejimin e transferimit të pronësisë.

• Dokumenti që nxjerr bllof Valon Ademin/ Hoqi dorë nga 40% e aeroportit, pastaj pretendoi 47% të MABCO-s 7 Tetor, 20:40

Pikërisht mbi këtë dallim mbështetet një pjesë e rëndësishme e kallëzimit, pasi QKB regjistroi transferimin e 47% të kapitalit vetëm dymbëdhjetë ditë pas vendimit të Apelit, ndërkohë që, sipas përmbaruesit, ndalimi për tjetërsimin e kuotave vazhdonte të prodhonte pasoja juridike.

Transferimi pa miratimin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe BKT-së

Një tjetër element i kallëzimit lidhet me mungesën e miratimit të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, e cila përfaqëson shtetin shqiptar si autoritet kontraktor në koncesionin e Aeroportit të Vlorës. Sipas MABCO-s, ligji kërkon detyrimisht miratimin përkatës për transferimin e kuotave të shoqërisë koncesionare, pasi ndryshimi i strukturës së pronësisë mund të ndikojë drejtpërdrejt te kontrolli dhe përgjegjësitë e subjektit që ka marrë përsipër realizimin e investimit.

Në një shkresë të datës 17 shkurt 2026, vetë Ministria ka konfirmuar se nuk kishte administruar asnjë kërkesë dhe nuk kishte dhënë miratim për transferimin e 47% të kuotave nga MABCO te 2A Group. Megjithatë, tetë muaj më vonë, QKB regjistroi ndryshimin e pronësisë, pa rezultuar, sipas dokumentacionit të paraqitur në kallëzim, një miratim i mëvonshëm i autoritetit kontraktor.

Regjistrimi është kryer gjithashtu pa pëlqimin e Bankës Kombëtare Tregtare, e cila ka financuar projektin me një kredi prej rreth 57 milionë eurosh dhe në favor të së cilës janë barrësuar kuotat e shoqërisë koncesionare. Sipas dokumentacionit të MABCO-s, BKT ka konfirmuar se nuk kishte dhënë miratim për transferimin e pretenduar të 47% të kapitalit.

Kjo rrethanë është shumë e rëndësishme, pasi barrësimi i kuotave shërben si garanci për detyrimet financiare të shoqërisë dhe ndryshimi i pronësisë mund të prekë të drejtat e kreditorit.

QKB bllokoi vendimet e MABCO-s me 98%, por regjistroi ato të 2A Group me 2%

Regjistrimi i 19 tetorit nuk është veprimi i parë i QKB-së që kundërshtohet nga investitori zviceran. Prej muajsh, MABCO denoncon një trajtim të pabarabartë nga institucioni, i cili, sipas kompanisë, ka penguar vendimet e ortakut të shumicës, ndërsa ka regjistruar aktet e ndërmarra nga përfaqësuesit e ortakut të pakicës.

• Abazi–Ademi, fijet bashkohen te Balluku/ A po del në dritë skema për marrjen e Aeroportit të Vlorës? 14 Shtator, 13:38

Më herët, QKB regjistroi Vegim Hoxhën si administrator të shoqërisë Vlora International Airport, mbi bazën e një mbledhjeje të organizuar vetëm nga 2A Group, në kohën kur kjo kompani zotëronte 2% të kuotave. Nga ana tjetër, institucioni refuzoi regjistrimin e vendimeve të asamblesë së thirrur nga MABCO, megjithëse investitori zviceran zotëronte 98% të kapitalit. Pengesa u krijuan edhe për regjistrimin e administratores së re të zgjedhur nga MABCO, pavarësisht vendimit të Gjykatës së Apelit të 7 tetorit, që kishte rrëzuar masën e fundit kufizuese ndaj ushtrimit të të drejtave të saj.

Në këtë mënyrë, sipas investitorit zviceran, QKB ka zbatuar dy standarde të ndryshme për të njëjtën shoqëri: vendimet e ortakut që zotëronte pothuajse të gjithë kapitalin janë penguar, ndërsa ato të ortakut me vetëm 2% janë regjistruar.

Kalimi i 47% të kuotave nuk përbën, pra, vetëm një ndryshim shifrash në regjistrin tregtar. Ai ndryshon raportin e forcave mes ortakëve dhe mund të ndikojë në mënyrën se si merren vendimet për administrimin, financimin dhe të ardhmen e aeroportit. Për këtë arsye, ligjshmëria e transferimit ka rëndësi të drejtpërdrejtë për kontrollin e një investimi që, sipas vlerës së deklaruar të projektit, arrin në rreth 320 milionë euro.

Përtej konfliktit mbi pronësinë, MABCO ka denoncuar edhe pengimin e vazhdueshëm të aksesit në kantier, përjashtimin nga vendimmarrja dhe mungesën e ndërhyrjes efektive të institucioneve shtetërore. Sipas kompanisë, Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë i janë drejtuar dhjetëra shkresa për zgjidhjen e situatës, pa u arritur një rezultat që t’i jepte fund konfliktit.

Konflikti në arbitrazh ndërkombëtar dhe rreziku për shtetin shqiptar

Përplasja për kontrollin e Aeroportit të Vlorës ka kaluar tashmë edhe në arbitrazh ndërkombëtar, duke e nxjerrë konfliktin përtej juridiksionit të gjykatave shqiptare. MABCO ka aktivizuar procedurat pranë Dhomës Ndërkombëtare të Tregtisë (ICC), ku në shtator 2026 arbitri i emergjencës Cecilia Carrara trajtoi kërkesën për masa urgjente që synonin ruajtjen e gjendjes ekzistuese deri në zgjidhjen e mosmarrëveshjes.

Ndërhyrjet në administrimin dhe pronësinë e kompanisë, ndërkohë që mosmarrëveshja është objekt arbitrazhi, mund të ndikojnë në të drejtat dhe pretendimet e palëve, si dhe në vlerësimin e veprimeve të ndërmarra gjatë zhvillimit të procedurës.

Paralelisht me arbitrazhin tregtar, MABCO ka aktivizuar edhe mekanizmat e mbrojtjes së investimeve të huaja, të parashikuara në marrëveshjen dypalëshe ndërmjet Shqipërisë dhe Zvicrës. Sipas investitorit, periudha gjashtëmujore për zgjidhjen miqësore të mosmarrëveshjes me shtetin shqiptar përfundoi më 22 tetor 2026, pa u arritur një marrëveshje, duke hapur mundësinë e nisjes së një arbitrazhi investimesh kundër Shqipërisë.

Nga konflikti i ortakëve te kallëzimi në SPAK

Kallëzimi penal i MABCO-s e vendos tashmë edhe SPAK-un përballë kërkesës për të hetuar mënyrën se si QKB regjistroi transferimin e 47% të kuotave, në një kohë kur mbi to pretendohet se ekzistonte një masë gjyqësore ndaluese dhe kur mungonin miratimet e institucioneve përgjegjëse.

Prokuroria e Posaçme duhet të vlerësojë nëse veprimet e denoncuara përbëjnë shkelje penale, cilët persona kanë marrë vendimet përkatëse dhe nëse regjistrimi është kryer në përputhje me dokumentacionin dhe detyrimet ligjore. Deri në një përfundim të hetimeve, pretendimet e investitorit mbeten akuza që kërkojnë verifikim dhe jo përgjegjësi të provuara penale.

• Aeroporti i Vlorës drejt arbitrazhit, pse Shqipëria rrezikon të paguajë qindra milionë euro 7 Gusht, 14:04

Megjithatë, përtej rezultatit të kallëzimit, problemi i Aeroportit të Vlorës është bërë më i ndërlikuar. Një konflikt që fillimisht lidhej me pretendimet e dy ortakëve mbi pronësinë dhe administrimin e një shoqërie koncesionare ka përfshirë tashmë gjykatat shqiptare, institucionet shtetërore, bankën financuese dhe arbitrazhin ndërkombëtar.

Në këtë përplasje, shteti shqiptar është bërë pjesë e pretendimeve të investitorit zviceran, duke krijuar mundësinë që konflikti për kontrollin e aeroportit të përfundojë edhe në një proces ndërkombëtar kundër Shqipërisë.

7 min read

Share this story

Comments

Loading comments…