Mjaft ! Pushteti e ka një fund, turpi të mbulon përjetë!

Në vitin 1966, senatori amerikan J. William Fulbright botoi veprën Arroganca e pushtetit (The Arrogance of Power), një kritikë të ashpër ndaj politikës së jashtme amerikane dhe kulturës së konformizmit politik që kishte ndihmuar në përshkallëzimin e Luftës së Vietnamit.

Irena Beqiraj
Irena Beqiraj

Text

Por paralajmërimi i tij shkonte shumë përtej Vietnamit: pushteti i pakontrolluar, veçanërisht kur kërkon besnikëri të pakushtëzuar dhe ndëshkon mospajtimin, kërcënon jo vetëm demokracinë, por edhe themelet e një kombi.

Fulbright ishte i majtë. Presidenti që ai kundërshtonte, Lyndon Johnson, ishte gjithashtu i majtë. Megjithatë, për Fulbright-in, përkatësia partiake nuk mund të ishte kurrë më e rëndësishme sesa përgjegjësia ndaj vendit. Ai pagoi një çmim politik për qëndrimet e tij. Por historia nuk e kujton për pabesi ndaj partisë. E nderon për guximin për të mos u pajtuar me pushtetin.

E solla historinë e Fulbright-it për dy arsye.

Së pari, sepse emrin e tij e mbajnë bursat prestigjioze, nga të cilat kanë përfituar edhe shumë intelektualë shqiptarë. Shpresoj që prej tyre të kenë mësuar jo vetëm si të bëhen profesionistë të mirë, por edhe se dija pa pavarësi mendimi rrezikon të shndërrohet në një instrument të sofistikuar të servilizmit.

Së dyti, sepse historia e tij na ndihmon të kuptojmë se si një pushtet mund të bëhet destruktiv dhe përse përgjegjësia nuk i përket vetëm njeriut që e drejton.

Në studimet mbi lidershipin destruktiv ekziston një koncept i njohur si «trekëndëshi toksik i pushtetit». Ai përbëhet nga tri elemente që ushqejnë njëri-tjetrin:

1. Lideri destruktiv, që synon përqendrimin e pushtetit, kërkon bindje personale, e trajton kritikën si armiqësi dhe përdor kontrollin, manipulimin apo frikësimin për të ruajtur autoritetin.

2. Ndjekësit e nënshtruar dhe bashkëpunëtorët, që e mbështesin liderin për shkak të frikës, interesit, ambicies, privilegjeve apo nevojës për përkatësi. Disa heshtin sepse kanë frikë të humbasin diçka, ndërsa të tjerë janë proaktivë, sepse shpresojnë të fitojnë diçka.

3. Mjedisi favorizues, në të cilin institucionet dobësohen, mekanizmat e kontrollit humbasin efektivitetin, media nuk ushtron gjithmonë rolin e saj kritik dhe një opozitë që nuk arrin të frymëzojë krijon hapësirë për relativizimin e abuzimeve të pushtetit.

Historia nuk lë vend për shpresë. Mazhorancat që kanë pasur në krye një lider destruktiv dhe e kanë ndërtuar pushtetin mbi frikën, servilizmin dhe dobësimin e institucioneve, shndërrohen në banda dhune dhe mbahen mend si të tilla. Ato e humbasin dinjitetin shumë përpara se të humbasin pushtetin, ndërsa turpi mbetet i vetmi përcaktues i tyre në histori.

Dua ende të besoj se në Partinë Socialiste dhe në grupin e saj parlamentar ka të paktën 17 njerëz që nuk e kanë dorëzuar ndërgjegjen në këmbim të mandatit. Dua të besoj se midis tyre ka edhe nga ata që kanë studiuar nën emrin e Fulbright-it dhe që nuk e kanë ngatërruar arsimimin me karrierën, as karrierën me karakterin. Dua të besoj se mund të ketë 17 shpirtra që nuk e kanë varrosur përfundimisht virtytin e mospajtimit, duke pranuar të gjallojnë fizikisht e ta lënë këtë botë si shërbëtorë pa vlerë.

Bindja nuk është unitet, ndërsa heshtja është papërgjegjshmëri. Demokracia nuk është ndërtuar për të funksionuar pa kundërshtime. Përkundrazi, ajo mbështetet në fërkimin mes pushteteve, kontrollin reciprok dhe detyrimin për t’u distancuar nga pushteti pa dhunë. Mospajtimi është një nga mekanizmat që e mbron demokracinë dhe kombin nga arbitrariteti.

Edhe sikur të gjithë shqiptarëve t’u nxirrni nga një sy, trekëndëshi toksik i pushtetit, pjesë e të cilit jeni, është i destinuar të shpërbëhet. Por përgjegjësia do të mbetet si një akt tradhtie i kryer nga të gjithë ju!

Ndaj, për të mos mbërritur deri aty, nuk kërkohet heroizëm. Kërkohen ndërgjegje, qartësi dhe guxim për të thënë në kohë:

Mjaft!

@Fb, I.B.

3 min read

Share this story

Comments

Loading comments…