Habit Ibrahimaj: Ekonomia po lulëzon, të ardhurat janë rritur, por shqiptarët nuk kanë kursime për të blerë shtëpi!

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, foli për zhvillimin ekonomik dhe rritjen e të ardhurave në vend, por gjatë prezantimit të projektligjit për strehimin social pranoi një problem që prek drejtpërdrejt familjet shqiptare: mungesën e kursimeve për të blerë një banesë.

Cogito
Cogito

Habit Ibrahimaj: Ekonomia po lulëzon, të ardhurat janë rritur, por shqiptarët nuk kanë kursime për të blerë shtëpi!
Delina Ibrahimaj
Text

Paradoksi është i dukshëm. Ndërsa qeveria flet për rritje ekonomike dhe përmirësim të të ardhurave, shumë familje nuk arrijnë të sigurojnë as shumën fillestare që kërkojnë bankat për të marrë një kredi dhe për të blerë një apartament.

Gjatë diskutimit në Komisionin për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike, Ibrahimaj argumentoi se zhvillimi ekonomik i vendit krijon mundësi për zgjerimin e politikave të strehimit. Sipas saj, mbështetja nuk duhet të kufizohet vetëm te kategoritë në nevojë, por duhet të përfshijë edhe familjet që kanë të ardhura, por nuk arrijnë të përballojnë kostot e një banese.

“Zhvillimi ekonomik dhe faza e zhvillimit ekonomik në të cilën ne ndodhemi sot na lejon që ne të vijojmë të kujdesemi për shtresat në nevojë, por gjithashtu, nisur nga të ardhurat e shtuara, na krijohet hapësira dhe mundësia që të kujdesemi edhe për ato kategori të cilat nuk konsiderohen në nevojë, por të cilat kanë nevojë për një strehim të përballueshëm”, deklaroi Ibrahimaj.

Megjithatë, vetë ministrja evidentoi një nga pengesat kryesore që i mban familjet larg tregut të banesave: mungesën e kursimeve për parapagimin fillestar të kërkuar nga institucionet bankare.

“Duke mos pasur kursime, i bëhet e pamundur një familjeje shqiptare që të paguajë atë parapagimin që bankat kërkojnë për blerjen e një banese”, deklaroi ajo.

Për të adresuar këtë vështirësi, projektligji parashikon krijimin e mekanizmave të garancisë për familjet që kanë kapacitet financiar për të shlyer këstet mujore të kredisë, por nuk disponojnë parapagimin fillestar ose kolateralin që kërkojnë bankat.

Në thelb, ndërhyrja e propozuar synon t'u mundësojë këtyre familjeve akses në financim bankar. Pra, në vend të një uljeje të menjëhershme të çmimeve të apartamenteve, qeveria synon të lehtësojë kushtet për marrjen e kredive.

Sa i përket çmimeve të banesave, Ibrahimaj paralajmëroi se do të ketë ndërhyrje të tjera ligjore, të cilat, sipas saj, do të synojnë rritjen e konkurrencës dhe reduktimin e kostove në treg.

“Ky ligj hap rrugën që të bëjmë ndërtime e të kemi konkurrencë në çmimet e ndërtesave. Me ligjet që do të sjellim shpejt në Kuvend do të merren masa që çmimet të reduktohen”, u shpreh ministrja.

Megjithatë, gjatë prezantimit të projektligjit nuk u përcaktua një datë konkrete se kur pritet të ulen çmimet. Gjithashtu, nuk u bë e ditur se çfarë ndikimi të matshëm do të kenë masat e paralajmëruara në koston e banesave.

Një tjetër element i rëndësishëm i projektligjit është formula 30-40-30, e cila përcakton ndarjen e projekteve të reja të ndërtimit në tri kategori: 30% për strehimin social, 40% për strehimin e përballueshëm dhe 30% për tregun e lirë, ku banesat do të shiten ose jepen me qira.

Sipas Ibrahimajt, synimi është që familjet përfituese të mos izolohen në zona të veçanta, por të integrohen në lagjet dhe komunitetet ku zhvillohet jeta e përditshme.

“Duam që familjet që përfitojnë nga strehimi social të jenë pjesë e natyrshme e lagjeve dhe qyteteve tona”, deklaroi ajo.

Ministrja bëri të ditur gjithashtu se që prej vitit 2018, rreth 31 mijë familje kanë përfituar nga programet publike të mbështetjes për strehimin. Ndihma është dhënë përmes subvencionimit të qirasë, kredive të buta, ndërtimit të banesave sociale dhe përmirësimit të kushteve të banimit.

Ndërsa për programet e reja, kriteret e përfitimit do të përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave. Kuotat përkatëse do të miratohen nga bordi i Fondit për Strehimin dhe Kohezionin Social.

Pavarësisht nismës së prezantuar, mbeten ende disa çështje që kërkojnë sqarim: sa do të jetë kostoja reale e banesave të përballueshme, sa familje do të përfitojnë konkretisht dhe kur do të fillojë zbatimi i projekteve të para?

Për momentin, mesazhi i qeverisë është se familjet pa kursime do të kenë më shumë mundësi për të siguruar një kredi për blerjen e banesës. Ndërsa premtimi për uljen e çmimeve mbetet i lidhur me projektligjet e tjera që pritet të paraqiten në Kuvend.

Kështu, mes deklaratave për rritje ekonomike dhe të ardhura më të larta, mbetet një realitet që ministrja e pranoi vetë: shumë shqiptarë nuk kanë kursime as për të paguar paraprakisht shumën që kërkon banka për blerjen e një shtëpie. /Cogito/

3 min read

Share this story

Comments

Loading comments…