Një udhërrëfyes praktik për angazhimin e qëndrueshëm të SHBA-së në Ballkanin Perëndimor

Amanda Thorpe
Amanda Thorpe

Text

New Lines Institute for Strategy and Policy, Western Balkans Cente

Përmbledhje ekzekutive

Problemet e vazhdueshme të qeverisjes në Ballkanin Perëndimor janë mjaft serioze saqë mund ta zhysin të gjithë rajonin në trazira. Ndonëse rajoni nuk përbën një nga përparësitë kryesore të politikës rajonale të SHBA-së, interesat kombëtare amerikane mbrohen dhe ruhen përmes nxitjes së një angazhimi të qëndrueshëm politik dhe institucional, i cili parandalon konfliktet. Promovimi i sigurisë në rajone që ndodhen pranë zonave gjeografike me rëndësi thelbësore për interesat kombëtare të SHBA-së – në këtë rast, hapësirës kufitare euroaziatike – nuk ka qenë një element i përhershëm i politikës së jashtme amerikane.

Sot, ndoshta më shumë se në çdo periudhë tjetër të së kaluarës së afërt, situata globale e sigurisë dhe e qeverisjes mbetet e rrezikshme dhe e brishtë. Publiku amerikan dhe përfaqësuesit e tij të zgjedhur duket se kanë qëndrime të kundërta për drejtimin strategjik të vendit. Prandaj, është thelbësore që politikëbërësit të përcaktojnë masa të mirëpeshuara, të cilat avancojnë në mënyrë të qëndrueshme interesat jetike të SHBA-së. Kjo kërkon një udhërrëfyes praktik dhe të zbatueshëm për angazhimin e qëndrueshëm të SHBA-së në Ballkanin Perëndimor.

Një politikë e tillë mund të realizohet në dy mënyra: së pari, duke afirmuar interesin e SHBA-së në fushën e sigurisë si pjesë të qasjes së Uashingtonit ndaj rajonit; dhe së dyti, duke avancuar masa më të gjera për garantimin e stabilitetit dhe përmirësimin e qeverisjes.

Rekomandime për politikat

1. T’u jepet përparësi marrëdhënieve me ata që dëshmojnë respektimin e shtetit të së drejtës

Si pikënisje, SHBA-ja duhet të përcjellë në mënyrë të qartë dhe të pakushtëzuar mesazhin se partnerët e saj të preferuar janë shtetet, entitetet dhe individët që respektojnë shtetin e së drejtës, synojnë një qeverisje me ekuilibra institucionalë, angazhohen në mënyrë konstruktive me qytetarët e tyre dhe mbrojnë të drejtat e pakicave. Këto shtete kanë përfituar, përfitojnë dhe duhet të vazhdojnë të përfitojnë të parat nga angazhimi, mbështetja dhe investimet e SHBA-së.

Krijimi i Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në Shqipëri (SPAK) ka nxjerrë në pah angazhimin për luftën kundër korrupsionit, si pjesë e një agjende reformash dhe të një procesi serioz të anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Forcat e Armatosura të Shqipërisë bashkëpunojnë ngushtë me SHBA-në për të kundërshtuar veprimtarinë kibernetike të Iranit dhe për të forcuar mbrojtjen, shoqërinë civile dhe qeverisjen demokratike të vendit. Shqipëria është një partner i preferuar i SHBA-së për shkak të angazhimit të saj ndaj reformave dhe modernizimit.

Aktorët irredentistë të rajonit dhe disa aktorë ndërkombëtarë mbështesin ndarjen e mëtejshme të Ballkanit përgjatë vijave etnike ose rishikimin e kufijve si mënyrë për të qetësuar tensionet etnike. Kjo qasje është e pamatur dhe bie ndesh me politikën e kodifikuar të SHBA-së, e cila përcakton se: “SHBA-ja nuk duhet të propozojë asnjë politikë që mbështet shkëmbimin e territoreve, ndarjen apo forma të tjera të rishikimit të kufijve përgjatë vijave etnike, si mënyrë për të zgjidhur mosmarrëveshjet ndërmjet shteteve të rajonit”.

Një sistem si ai i Bosnjë-Hercegovinës, apo i ashtuquajturi “Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe” në Kosovë, i cili krijon një shtresë të pamatur të administrimit mbi baza etnike, sjell edhe më shumë paqartësi në qeverisje dhe në marrëdhëniet e partneritetit me SHBA-në. Qeveria federale e zgjedhur në mënyrë të ligjshme e një vendi duhet ta përfaqësojë atë me një zë të vetëm, të negociojë kontrata ndërkombëtare dhe marrëveshje tregtare, si dhe të garantojë zbatimin e marrëveshjeve të bashkëpunimit. Ndarja e territoreve në enklava ose lejimi i autonomisë mbi baza etnike dëmton rajonin dhe interesat strategjike të SHBA-së.

SHBA-ja duhet të bashkëpunojë drejtpërdrejt me shërbimet e ligjshme të sigurisë në rajon, me qëllim mbrojtjen e rendit kushtetues, sovranitetit dhe integritetit territorial të shteteve të cenueshme të rajonit.

SHBA-ja duhet të zgjerojë programet e partneritetit në Ballkan, të cilat forcojnë themelet e qeverisjes së mirë dhe përmirësojnë klimën e biznesit. Programe të tilla si Programi për Zhvillimin e së Drejtës Tregtare (Commercial Law Development Program – CLDP) i Departamentit të Tregtisë dhe Zyra për Asistencë dhe Trajnim në Zhvillimin e Prokurorisë Jashtë Vendit (Office of Overseas Prosecutorial Development Assistance and Training – OPDAT) e Departamentit të Drejtësisë ofrojnë ekspertizë teknike përmes këshillimit dhe asistencës.

Së fundi, Strategjia pesëvjeçare për Ekonominë dhe Zhvillimin, e parashikuar në Aktin për Demokracinë dhe Prosperitetin në Ballkanin Perëndimor (Western Balkans Democracy and Prosperity Act), do të jetë thelbësore për të lehtësuar lidhjet e ardhshme ndërmjet SHBA-së dhe Ballkanit. Zbatimit të saj duhet t’i jepet përparësi në ato vende që ofrojnë kushtet më të qëndrueshme dhe më racionale për investimet amerikane.

2. Të promovohet stabiliteti përmes investimeve dhe rritjes ekonomike

SHBA-ja duhet të veprojë përmes institucioneve si Korporata e Financave për Zhvillim Ndërkombëtar të SHBA-së (Development Finance Corporation – DFC) dhe në bashkëpunim me Dhomat Amerikane të Tregtisë, me qëllim forcimin e bazës ekonomike të rajonit. Nxitja e strukturave fiskale të kujdesshme mbron ekonomitë nga ndikimet dashakeqe dhe krijon mekanizma të qëndrueshëm për garantimin e stabilitetit.

Stabiliteti arrihet përmes respektimit të standardeve financiare kundër pastrimit të parave dhe trafikimit, të cilat janë kusht për zgjerimin e investimeve amerikane.

DFC-ja, krahu i qeverisë amerikane për investimet ndërkombëtare, bashkëpunon me sektorin privat për të “mobilizuar kapitalin për investime strategjike në mbarë botën” dhe tashmë ka investime në Ballkan. Ajo ka siguruar një garanci prej 5,18 milionë dollarësh për portofolin e kredive të një banke në Bosnjë-Hercegovinë, duke zgjeruar mundësitë e kreditimit për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, në dobi të më shumë se 2 milionë shtetasve boshnjakë që jetojnë jashtë vendit.

DFC-ja njoftoi gjithashtu së fundmi një projekt për forcimin e rezistencës së zinxhirëve të furnizimit në Maqedoninë e Veriut, i cili synon të rivitalizojë një minierë të rëndësishme antimoni, për të forcuar dhe diversifikuar furnizimin global me antimon për SHBA-në dhe aleatët e saj.

Megjithatë, DFC-ja duhet të hapë një zyrë rajonale në Ballkan, për të administruar dhe zgjeruar investimet ekzistuese, si dhe për të identifikuar mundësi të reja investimi.

Klima e investimeve në rajon po zhvillohet me ritme të shpejta. Banka Evropiane e Investimeve (EIB) hapi një zyrë në Podgoricë të Malit të Zi në vitin 2025, duke sinjalizuar një angazhim të rëndësishëm rajonal të kësaj banke. EIB-ja njoftoi gjithashtu një angazhim financiar prej 175 milionë eurosh për modernizimin e një linje të rëndësishme hekurudhore malazeze përgjatë Korridorit Hekurudhor 4 (Rail Route 4). Investitorët amerikanë duhet të përfitojnë nga ajo që po shndërrohet me shpejtësi në një treg në lulëzim për zhvillimin dhe rritjen ekonomike të rajonit.

Megjithatë, ndonëse joshja e projekteve jotransparente dhe e kontratave të shpejta, të siguruara përmes favoreve politike, mund të duket tërheqëse në afatshkurtër, mënyra për të garantuar kthimin afatgjatë të investimit është përmes proceseve transparente dhe ekzistencës së një sistemi të shtetit të së drejtës, si dhe respektimit të tij në vendet pritëse.

3. Të përmbushet plotësisht premtimi i Marrëveshjes së Paqes së Dejtonit

Kuadri kushtetues i Bosnjë-Hercegovinës përbën shembullin më të theksuar në Ballkan të një strukture jofunksionale të qeverisjes. Nuk mund të priten veprime racionale nga një strukturë qeverisëse që në vetvete është joracionale. Kjo strukturë duhet të reformohet dhe të shndërrohet në një model që mundëson qeverisje efektive dhe procese transparente.

Marrëveshja e Paqes e Dejtonit, e hartuar nën kujdesin e SHBA-së, u hartua dhe u nënshkrua në kushte shtrëngimi dhe presioni, ndërsa Sarajeva e rrënuar nga lufta përballej me një tjetër dimër. Në mënyrë të kuptueshme, marrëveshja ishte një zgjidhje e rëndësishme, por jo elegante.

Megjithëse Dejtoni ishte një sukses i padiskutueshëm si marrëveshje paqeje, në kuptimin e ngushtë të këtij termi, ai nuk duhet të lejohet të përcaktojë kufirin maksimal të interesave të SHBA-së apo të aspiratave të Bosnjë-Hercegovinës. Në rastin më të keq, Dejtoni krijoi një shtet joliberal dhe të ndarë mbi baza etnike, i cili gjatë 30 viteve të fundit e ka mbajtur qeverinë dhe popullin e Bosnjë-Hercegovinës kryesisht të ndarë përgjatë vijave etnike.

Madje, sipas vetë deklarimeve të tyre, arkitektët amerikanë të marrëveshjes nuk e kishin imagjinuar kurrë që ajo do të mbijetonte për tri dekada pa pothuajse asnjë ndryshim strukturor, pikërisht sepse e dinin se ajo do të ishte e pamjaftueshme si kontratë afatgjatë shoqërore dhe e paaftë për të përmbushur synimet e SHBA-së për t’u shkëputur nga Ballkani Perëndimor.

Për këtë arsye, SHBA-ja duhet të emërojë një të dërguar të posaçëm për reformat kushtetuese në Bosnjë-Hercegovinë, i cili do të mbledhë një grup kontakti në nivel pune, së bashku me aktorët rajonalë dhe udhëheqësit evropianë, me synimin për të shqyrtuar mundësitë e reformave.

Shoqëria civile dhe grupet e ekspertëve kanë propozuar modele të ndryshme, të cilat mund të shërbejnë si pikënisje të besueshme, të pranueshme për të gjithë aktorët kryesorë politikë dhe që avancojnë interesat strategjike të SHBA-së në vend dhe në rajon.

Një përfshirje e synuar dhe e qëndrueshme e SHBA-së mund të ndihmojë në hartimin e një rendi kushtetues që do t’i mundësonte Bosnjë-Hercegovinës anëtarësimin në NATO deri në vitin 2035 dhe do të krijonte një rrugë realiste drejt realizimit të aspiratave të saj për anëtarësim në BE.

Kjo mund të arrihet duke zbatuar të gjitha vendimet ende të pazbatuara të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe opinionet e Komisionit të Venecias, duke ruajtur njëkohësisht unitetin institucional dhe karakterin shumetnik të vendit.

E vetmja rrugë praktike përpara është konsolidimi i Bosnjë-Hercegovinës si një shtet laik dhe demokratik.

Ka ardhur koha që SHBA-ja të punojë me boshnjakët për ta përmbyllur atë që nisi në Ohajo.

Raporti i plotë

Përgatitur në shqip nga Cogito.al

Kujdes! Ky është artikull ekskluziv i Cogito.al, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Cogito.al, shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

Explore more on these topics

Last modified Wed, 11 Nov 2026 19:24 CET

7 min read

Share this story

Comments

Loading comments…