Korridorin VIII/ Rritet me 100 milion Euro kostoja e rrugës Elbasan-Qafë Thanë

Zgjerimi i rrugës Elbasan-Qafë Thanë po shndërrohet me shpejtësi në një pus pa fund për paratë e qytetarëve. Dokumentat zyrtare të buxhetit dëshmojnë se kostot e kësaj vepre kanë dalë plotësisht jashtë kontrollit, të fryra nga modifikimet e vazhdueshme të kontratave, menaxhimi i dobët dhe emergjencat gjeologjike rrugës.

Admin
Admin

Korridorin VIII/ Rritet me 100 milion Euro kostoja e rrugës Elbasan-Qafë Thanë
Teksti

Ai që nisi si një projekt i ndarë hap pas hapi, deri më tani ka arritur në një faturë prej 35,2 miliardë lekësh, ose mbi 387.8 milionë euro.

Por ky nuk është fundi i pusit. Gjasat janë që fatura e rrugës me gjatësi totale 51 kilometër të kalojnë dukshëm mbi 700 milionë euro, teksa kontratat shtohen nga viti në vit.

Zanafilla e gjakderdhjes Në fund të vitit 2020, Autoriteti Rrugor Shqiptar lidhi një kontratë me kompaninë Infrakonsult për projektin e zgjerimit të rrugës Elbasan-Qafë Thanë, pjesë e Korridorit VIII. Infrakonsult është kompania e Redi Strugës, një biznesmen kontrovers, i përfshirë në skandalin e tokave të Zvërnecit.

Projekti i përgatitur nga Infrakonsult ishte një grumbuj fletësh dhe vizatimesh të paplota, i cili jo vetëm që nuk detajoi se sa do të ishte kosto totale e rrugës, por më vonë rezultoi katastrofik për financat e shtetit.

Pavarësisht se projekti ishte problematik, Autoriteti Rrugor Shqiptar nxitoi të fillonte ndërtimin e rrugës me skemën e copëzimit në 9 lote sipas skenarit "fillojmë njëherë pastaj shohim ku do të dalë."

Kontrata e parë, për lotin I u lidh në shtator të vitit 2022 me kompaninë Alb Building. Vlera e kësaj kontratë ishte 2.18 miliardë lekë ose 24 milionë euro dhe përfshinte zgjerimin e një segmenti 5 kilometër të gjatë.

Pak muaj më vonë, në fillim të vitit 2023, qeveria lidhi kontratat edhe për 3 lote të tjera, ndërsa në vitin 2024 u lidhën edhe ato nga loti 5 deri në 8. Sipas tabelave të buxhetit, tenderat për 8 lotet e rrugës u fituan me një vlerë totale prej 21.8 miliardë lekësh ose 240.5 milionë euro. Por ky ishte vetëm fillimi i gropës.

Festë për kompanitëSapo makineritë zbritën në terren, filluan pasojat e para të projektit dhe festa e preferuar e peshkaqenëve që kishin marrë tenderat; modifikimi i kontratave.

Autoriteti Rrugor nisi të miratonte shtesa të kripura vlere për lotet ekzistuese, me pretekstin e ndryshimeve të paparashikuara në terren.

Vetëm për lotet II, V dhe VI, buxhetit të shtetit iu faturua një shtesë direkte prej 1,7 miliardë lekësh, afërsisht 18.9 milionë euro, mbi vlerën e tenderuar. Por edhe kjo ishte vetëm fillimi.

Emergjencat gjeologjikeGropa më e madhe financiare u hap nga emergjencat gjeologjike. Mungesa e studimeve serioze të shtresave të tokës përpara nisjes së punimeve detyroi qeverinë të nxjerrë nga buxheti edhe 6.75 miliardë lekë, ose 73.3 milionë euro për dy projekte të reja që "mbinë" si pasojë e dëmtimeve në terren.

Së pari, projekti për "Rivitalizimin e skarpatave në aksin Elbasan - Ura e Bushtricës" do të gëlltisë plot 4,2 miliardë lekë ose rreth 46.2 milionë euro. Tenderi është parashikuar për vitin e ardhshëm dhe qeveria ka alokuar fondet në projektbuxhetin që ka dërguar në Parlament.

Kjo rritje masive e kostos justifikohet për të stabilizuar anët e rrugës që rrezikojnë të shemben.

Së dyti, dhe më skandalozja, është situata në Dragostunjë. Pasi rruga pësoi një rrëshqitje masive të dheut duke bllokuar qarkullimin, Autoriteti Rrugor Shqiptar hapi një tjetër projekt emergjence të titulluar "Stabilizimi i rrëshqitjes në aksin Librazhd - Qafë Thanë (Dragostunjë)". Fatura për këtë ndërhyrje është 2,45 miliardë lekë ose ose 27 milionë euro.

Nga loti i parë deri në lotin e tetë, vlera e tenderuar e rrugës ishte 21.8 miliardë lekë ose 240.5 milionë euro. Por shtesat e kontratës dhe dy emergjencat gjeologjike e rritën vlerën me 92.2 milionë euro të tjera mbi vlerën e tenderave duke e çuar faturën totale në 332.7 milionë euro vetëm për 8 lotet. Por pusit sërish nuk i duket fundi.

Loti IXPër vitin e ardhshëm, qeveria do të zhvillojë tenderin edhe për lotin e IX-të rrugës. Ky segment përfshin ndërtimin e një tuneli në fshatin Hotolisht dhe ka një kosto prej 5 miliardë lekësh ose 55.1 milionë euro.

Me këtë tender, kostoja totale e rrugës 51 kilometër të gjatë arrin në plotë 387.8 milionë euro. Megjithatë fatura do të vazhdojë të rritet.

Rruga ka akoma dhe një segment tjetër të patenderuar nga Bushtrica deri në kufirin me Maqedoninë. Këtu do të ketë një tjetër tunel, i cili do të ndahet financiarisht mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Nuk dihet sa do të jetë kostoja e këtij segmenti për të përfunduar rrugën, e cila sipas ARRSH duhet të kishte përfunduar vitin e ardhshëm.

Por tashmë afatet janë shtyrë përtej buxhetit afatmesëm, pra përtej vitit 2029, megjithatë ky nuk është problemi i vetëm. Rruga ka probleme të rënda nga projektimi, të cilat do të kërkojnë miliarda të tjera për t'u sistemuar. Një burim i tha Kapitalit se kostoja mund të shkojë minimalisht 700 milionë euro, ndërkohë që cilësia dhe siguria e saj do të vazhdojë të jetë sfidë e madhe.

Me pak fjalë, Korridori i VIII është shndërruar në një gropë të madhe financiare, e cila tret miliardat tashmë përtej çdo parashikimi fillestar. Një situatë identike me rrugën Durrës Kukës, që u nis pa projekt dhe pati kosto të jashtëzakonshme. Por të paktën Durrës Kukës u ndërtua me cilësi dhe vazhdon të jetë edhe pas 15 vitesh në gjendje shumë të mirë.

Elbasan Qafë Thanë do të marrë miliarda për t'u përfunduar, por ka rrezik të vazhdojë traditën e rrugëve të shtrenjta që shemben sapo inaugurohen dhe që nuk përfundojnë asnjëherë së djeguri miliarda./Kapitali.al/

Përditësuar më E Premte, 30 tetor 2026, 15:22 CET

4 min lexim

Shpërndaje këtë lajm

Komente

Duke ngarkuar komentet…