
“Ekonomia po mbahet me para të zeza”/ Paketa Fiskale, Buxhuku: Monopolet, korrupsioni dhe kapja e shtetit po e çojnë vendin drejt kolapsit! Rritja e çmimeve do u faturohet qytetarëve
Kreu i Konfindustrisë, Gjergj Buxhuku, ka paralajmëruar rreziqe serioze për ekonominë shqiptare, duke kritikuar paketën e re fiskale dhe mungesën e një strategjie të qartë për zhvillimin ekonomik të vendit. I ftuar në emisionin “Minuta e Parë” në News24, me gazetaren Ola Bruko, ai deklaroi se parashikimet për vitin 2027 janë pesimiste, ndërsa një nga shqetësimet kryesore lidhet me varësinë e ekonomisë nga paratë informale dhe aktivitetet kriminale.

Buxhuku tha se paketa fiskale është paraqitur si një përllogaritje aritmetike dhe jo si një projekt që përcakton drejtimin e ekonomisë shqiptare në periudhën afatshkurtër, afatmesme dhe afatgjatë. Sipas tij, nuk ka të dhëna të qarta se si do të ndikojë secila prej masave të propozuara në ekonominë e vendit.
“Ajo që më shqetëson është fakti që kjo paketë fiskale është paraqitur si aritmetike dhe jo si projekt, i cili duhet të ketë parasysh se ku do të shkojë ekonomia shqiptare, çfarë qëllimi ka, afatshkurtër, afatmesëm apo afatgjatë. Ne nuk kemi të dhëna se cili propozim i paketës do të ndikojë në ekonominë shqiptare. Të gjithë jemi të interesuar që ekonomia të shkojë mirë, por sipas vlerësimeve, në vitin 2027 parashikimet janë pesimiste. Për arsye të rrënjëve që kjo ekonomi realisht ka dhe të ‘oksigjenit’ me të cilin furnizohet kjo ekonomi. Ti mund të kesh paketë të përsosur fiskale, por kur është e shtrembëruar, përfundimet janë negative.
Ekonomia shqiptare ka disa karakteristika që e bëjnë të rrezikuar nga kolapsi. E para është paraja informale që vjen nga jashtë, ose paratë e zeza. Masa tumorale e ekonomisë shqiptare është lënduar aq shumë, saqë mund të themi se pesha e saj është më e madhe se ekonomia formale e shëndetshme. Me garanci absolute, kjo e kalon 35-40 përqindëshin, kjo vlerë e parasë së zezë, por pa shifra thuhet se është edhe më shumë. Në pjesën dërrmuese të tyre janë para që merren jashtë, para të krimit dhe ankorohen në Shqipëri.

E dyta është fakti që ekonomia shqiptare nuk është ekonomi e tregut të lirë, por e kapur nga monopolet dhe oligopolet. Pra, i kanë hequr konkurrencën. Nuk është ekonomi e tregut të lirë, por ekonomi e centralizuar e shtetit socialist, e tregut kriminal. Ekonomi e mbyllur, pa konkurrencë, nuk ka garë.
E treta, është ekonomi e cila varet shumë nga korrupsioni i të gjitha llojeve, që propozon se ligji është në rregull dhe ti shkel ligjin, ose nga kapja e shtetit. Pra, kur prodhohen ligje me porosi.”, tha ai. Buxhuku u ndal më pas te parashikimet për vitin 2027, duke i lidhur ato me varësinë e ekonomisë shqiptare nga flukset e parave të paligjshme. Sipas tij, Shqipëria nuk mund të mbështetet pafundësisht në këto burime financiare, pasi vendet nga të cilat vijnë këto para mund të ndërmarrin masa për të ndërprerë aktivitetet që gjenerojnë dhe transferojnë kapital të paligjshëm.
Lexo edhe:
Korridorin VIII/ Rritet me 100 milion Euro kostoja e rrugës Elbasan-Qafë Thanë“Të gjitha këto bëjnë që parashikimet për vitin 2027, pa paketën fiskale, për një arsye të vetme, pra nga varësia e parasë së zezë, ta kthejnë vendin si ishull të piratëve të Karaibeve, të cilët në një moment ato shtete që ti ua ke marrë paratë do të thonë: Stop. SPAK po godet grupet e mëdha kriminale. Gati çdo muaj ke goditje të grupeve kriminale. Parashikohet që SPAK do ta rrisë ndjeshëm forcën goditëse. Bota demokratike jashtë nuk të lë në pafundësi që ti të zhvillosh këtë operacion. Ata e dinë edhe sasinë e flukseve që u merren atyre. Dinë më saktësi se cili biznes ti e ke ngritur dhe e mban në këmbë me të tilla operacione.

Ata kanë nisur, po të shohësh, operacioni është në rritje. SPAK nuk është institucion i vullnetit politik në Shqipëri, por institucion në zgjatim të institucioneve të BE-së dhe të SHBA-ve për të goditur trafiqet. Secili vend që paraqet këtë rrezikshmëri e ka një SPAK. Kahu i goditjeve është në rritje dhe ti nuk do të jesh një vend i sigurt për të tilla sjellje. Nuk ushqehet populli me ‘oksigjen’, me ekonomi formale, por mbahesh në këmbë me para të zeza, të cilat në këto momente kanë filluar kahun drejt zhdukjes. Mbase shpresojmë që goditjet e SPAK të mos ta rrënojnë ekonominë.”, shtoi ai.
Kreu i Konfindustrisë ngriti gjithashtu dyshime se qeveria mund të ketë marrë në konsideratë ndikimin që do të ketë goditja e flukseve informale në të ardhurat e ekonomisë, duke hartuar paketën fiskale dhe buxhetin e vitit të ardhshëm për të krijuar burime alternative financimi. “Ka dhe anën tjetër, që mbase e dinë këtë gjë dhe për këtë arsye futën dhe krijuan një paketë fiskale dhe një buxhet për të pasur një sasi oksigjeni për vitin tjetër, që nëse SPAK vazhdon me këto goditje, të thahen këto të ardhura.”, tha ai.
Buxhuku kritikoi mënyrën se si barra fiskale përkthehet te konsumatori, duke argumentuar se bizneset, për të ruajtur fitimin, mund t’i kalojnë kostot shtesë te çmimet e produkteve dhe shërbimeve. Sipas tij, në kushtet kur Shqipëria është edhe një ekonomi importuese, rritja e taksave prek drejtpërdrejt qytetarët. “Ndarja se kush do të paguajë, nuk bëhet kështu. Ato i paguan qytetari fundor. Biznesi pretendohet se e ruan fitimin e tij duke rritur çmimin. Kjo do të vazhdojë deri në një moment të caktuar, pasi ti nuk je thjesht ekonomi e centralizuar, por edhe importuese. Çdo rritje taksash i faturohet qytetarit. Biznesi ose do të falimentojë, ose do të rrisë çmimin.”, tha ai./BW/

Më të lexuarat: Lajme
- 1
- 2
- 3
- 4
- 5

Më të lexuarat: Lajme
- 6
- 7
- 8
- 9
- 10
Lajme të ngjashme








- 1
- 2
- 3
- 4
- 5
- 6
- 7
- 8
- 9
- 10











Komente
Duke ngarkuar komentet…