Samiti i NATO-s në Tiranë, jo në vitin 2027? Çfarë thonë dokumentet dhe çfarë deklaronte qeveria

Samiti i ardhshëm i NATO-s nuk do të mbahet në Shqipëri në vitin 2027. Këtë e deklaroi të enjten në Dublin kryeministri Edi Rama, duke pranuar se aleatët nuk kanë rënë dakord ende për datën. Sipas tij, nëse samiti zhvillohet në vitin 2028, ai do të mbahet në Tiranë.

Cogito
Cogito

Samiti i NATO-s në Tiranë, jo në vitin 2027? Çfarë thonë dokumentet dhe çfarë deklaronte qeveria
Text

Deklarata ndryshon ndjeshëm nga mesazhet që Rama dhe qeveria kanë përcjellë gjatë dy viteve të fundit, kur viti 2027 paraqitej si afati i samitit në Shqipëri.

Çfarë thotë NATO?

Në deklaratën e Samitit të Hagës, në qershor 2025, udhëheqësit e Aleancës shprehën pritshmërinë që, pas takimit në Turqi në vitin 2026, samiti i radhës të mbahej në Shqipëri. Por dokumenti nuk përmendte vitin 2027.

Një vit më vonë, deklarata e Samitit të Ankarasë nuk përmendi as Shqipërinë dhe as datën apo vendin e takimit pasues.

Megjithatë, një zyrtar i NATO-s i tha Reuters më 12 nëntor se samiti i ardhshëm do të mbahet në Shqipëri, por se vendimi për datën nuk është marrë ende.

Pra, NATO konfirmon Shqipërinë si vend pritës, por nuk ka konfirmuar vitin 2027.

Çfarë kishte deklaruar qeveria shqiptare?

Më 30 dhjetor 2024, Rama e shpalli vitin 2027 si vitin kur Shqipëria do të priste samitin e NATO-s. Ai foli edhe për përgatitjet logjistike dhe pjesëmarrjen e presidentit amerikan Donald Trump.

Në qershor 2025, Kryeministria njoftoi se Rama kishte diskutuar me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, për përgatitjet e samitit në Tiranë në vitin 2027.

Edhe në korrik 2026, ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, deklaroi se Rutte kishte konfirmuar Tiranën si vend pritës, ndërsa data do të përcaktohej nga Aleanca. Më 3 nëntor, pas takimit Rama–Rutte në Bruksel, Ministria e Mbrojtjes njoftoi se organizimi në Tiranë ishte “ri-konfirmuar”.

Këtu qëndron dhe mospërputhja: qeveria e paraqiti vitin 2027 si afat të pritshëm, ndërsa dokumentet e NATO-s nuk e përcaktuan asnjëherë shprehimisht atë vit. Tani edhe vetë Rama thotë se samiti nuk do të mbahet në 2027.

Pse u vu në dyshim viti 2027?

Reuters raportoi që në qershor se planet për samitin në Shqipëri në vitin 2027 ishin vënë në pikëpyetje për shkak të kundërshtimeve nga administrata Trump dhe pakënaqësive të disa vendeve anëtare për nivelin e shpenzimeve shqiptare për mbrojtjen.

Në të njëjtën kohë, NATO po shqyrton mundësinë e ndryshimit të praktikës së organizimit të samiteve çdo vit. Kjo mund të ndikojë në kalendarin e takimeve të ardhshme.

Për momentin, dallimi është i qartë: Shqipëria mbetet vendi i konfirmuar për samitin e ardhshëm, por data nuk është caktuar. Deklaratat e mëparshme të qeverisë krijuan pritshmërinë se takimi do të mbahej në vitin 2027. Tashmë kjo pritshmëri është rrëzuar nga vetë kryeministri.

Samiti nuk është anuluar përfundimish. Por viti 2027, i paraqitur për një kohë të gjatë nga Tirana si i sigurt, nuk është më në tryezë./Cogito/

2 min read

Share this story

Comments

Loading comments…