Tmerr dhe panik në kryeqytet: Bombardimi i Tiranës nga aviacioni britanik më 13 tetor 1943

Dr. Hasan Bello
Dr. Hasan Bello

Teksti

Në librat e historisë para dhe pas viteve 90-të pothuajse nuk përmendet aspak tmerri dhe paniku që përjetuan banorët e Tiranës më 13 tetor 1943. Kjo për disa arsye.

Por çfarë ndodhi në të vërtetë më 13 tetor 1943? Përse nga banorët dhe shtypi i kohës ajo u quajt si kasaphana e Tiranës?

Në shtator të 1943 ushtria italiane kapitulloi. Më 14 shtator, një Komitet Ekzekutiv i Përkohshëm i kryesuar nga Ibrahim Biçaku nënshkroi Deklaratën e Pavarësisë. Forcat gjermane, shumë shpejt morën nën kontroll territorin shqiptar. Megjithatë, nuk kishte asnjë arsye ushtarake që Tirana të bombardohej në këtë moment. Por në orën 13:15 të 13 tetorit 1943, një skuadrilje avionësh britanikë përshkruan kryeqytetin duke bombarduar dhe mitraluar lagjet kryesore, si Tirana e Re, Rruga e Durrësit, Rruga e Kavajës, sidomos lagjen rreth aeroportit etj. Bombardimi nuk kurseu as Strehën Vorfnore ku strehoheshin jetimët.

Pas bombardimit kryeqyteti ngjante me një kasaphanë. Të vdekurit dhe të plagosurit shtriheshin në rrugë. Shtëpi që digjeshin, kuaj dhe bagëti të vrarë shihje gjithandej. Ata që shpëtuan vraponin nga paniku. Në fillim dyshohej për 500 viktima. Shtypi i kohës akuzonte britanikët për bombardimin e popullsisë dhe lagjeve civile. Sipas tij, koha e mirë i lejonte atyre të dallonin objektet ushtarake me sy të lirë. Por kjo ishte bërë me qëllim për të krijuar një klimë terrori te banorët dhe për t`i treguar atyre për pasojat që do të kishin nëse nuk konformoheshin me interesat britanike.

Sipas të dhënave paraprake, të botuara në organet e kohës bëhej fjalë për 130 të vrarë dhe 350 të plagosur, të cilët lëngonin në spitalin e Tiranës, qendrat shëndetësore ekzistuese ose të improvizuara aty për aty. Kjo do të skalitej si një nga ditët më të zeza për kombin shqiptar.

Në shtypin e kohës u botuan emrat e viktimave dhe të plagosurve, pjesa dërrmuese e të cilëve ishin fëmijë të të gjitha moshave apo banorë me moshë relativisht të re.

Komiteti Ekzekutiv i Përkohshëm i drejtuar nga Ibrahim Biçaku në mbledhjen e 17 tetorit 1943 vendosi të krijonte një komision të posaçëm, i cili do të merrte masa për mbrojtjen anti-ajrore dhe për popullsinë e dëmtuar prej bombardimeve.

Shoqëri dhe tregtarë të njohur, intelektualë dhe nënpunës të kryeqytetit u angazhuan për mbledhjen e donacioneve për të ndihmuar financiarisht dhe me të gjitha format të prekurit. Një solidaritet i madh u vu re tek të gjith banorët.

Fatkeqsisht, për viktimat në fjalë as pas 1944 dhe as pas 1991, nuk flitet aspak.

Kujdes! Ky është artikull ekskluziv i Cogito.al, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Cogito.al, shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

Eksploro më shumë për këto tema

Përditësuar më E Mërkurë, 11 nëntor 2026, 13:47 CET

2 min lexim

Shpërndaje këtë lajm

Dr. Hasan Bello
Dr. Hasan Bello

Analist / Studiues

Dr. Hasan Bello, është diplomuar për histori dhe që nga viti 2011 është kërkues shkencor në Institutin e Historisë, pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Fushat e tij studimore janë, ndër të tjera, periudha e Rilindjes Kombëtare, ajo e pavarësisë dhe e konsolidimit të shtetit shqiptar; marrëdhëniet ndërkombëtare të Shqipërisë me Turqinë, Vatikanin; raportet e institucioneve shtetërore me komunitetet fetare; historia sociale e shoqërisë shqiptare në vitet 1920-1930.

Më shumë nga Dr. Hasan Bello

Të gjithë artikujt e Dr. Hasan Bello →

Komente

Duke ngarkuar komentet…