Kauza e protestës dhe “lufta” mes opozitave!

Mentor Kikia
Mentor Kikia

Teksti

Disa më mbështetën e disa më kritikuan, kur shkrova se: “Në Shqipëri po protestohet më shumë se kush do të jetë opozita”.

Jo për këmbëngulje, por për nevojë, po përpiqem të qartësoj edhe një herë qëndrimin tim rreth sherreve brenda protestës, që kulmuan të shtunën.

Protesta është një revoltë qytetare, por njëkohësisht edhe një sheshbetejë mes partive dhe aktorëve opozitarë.

Thirrjet “Rama në burg” - “Berisha në burg” janë thirrje kundër “establishmentit”, pra politikës së vjetër. Kjo justifikon përpjekjet për ta mbajtur larg saj PD-në.

Por edhe sikur të ndodhë, kjo nuk e bën protestën jopartiake dhe aq më pak një lëvizje politikisht të virgjër, prej së cilës do të lindë një alternativë krejtësisht e re, si ajo në Serbi.

Sepse aty janë të paktën tri aktorë potencialë politikë që mund të ndikojnë në orientimin e saj: Agron Shehaj, Arlind Qori dhe Adriatik Lapaj. Por lista e atyre qe mendojnë të bëhen kryeministra e deputetë është shumë e gjatë.

Me të drejtë mund të pyesim: Cila është kauza kryesore sot: “Dorëheqja e qeverisë”, apo “përcaktimi i opozitës së re”?

Publikisht, të gjithë bien dakord se kauza më e madhe është:

Dorëheqja e qeverisë dhe zgjidhja e krizës përmes një qeverie kujdestare, e cila do të ketë si mision reformimin dhe çlirimin e sistemit zgjedhor nga kontrolli i partisë në pushtet.

Po ashtu, dakordësimin për një praktike të tillë edhe në të ardhmen, tri muaj para çdo procesi të përgjithshëm zgjedhor, derisa vendi të dalë nga zona e “demokracisë hibride”.

Pra, duhet të instalojmë zgjedhjet e lira dhe të drejta.

Kaq!

Se kush do të qeverisë, nuk e përcakton turma në shesh.

Kryeministri nuk zgjidhet me protestë, zgjidhet me votë!

Berisha nuk duhet të bëhet kryeministër. Ky mendim imi nuk ndryshon. Por kjo nuk vendoset në protestë.

Vendoset në zgjedhje!

Vetëm vota e lirë, nesër mund të vendosë që të qeverisin sërish socialistët, të rikthehet PD-ja, të qeverisin partitë e reja, apo dikush tjetër që ende nuk ka dalë në skenë.

Ndaj, nëse vërtet ata që janë në shesh duan t’i shërbejnë kauzës së votës së lirë, duhet të bashkojnë energjitë, duhet t’i japin fund luftës mes tyre se kush është opozita, apo se kush do të qeverisë pasi të rrëzohet Rama.

Nëse keni qëllime të tjera, gjeni rrugë tjetër e mos i merrni më qafë ata të rinj.

Se kush qeveris, e përcakton vota e lirë!

Se kush shkon në burg, e vendos drejtësia e lirë!

Duhet luftuar per Lirinë!

Kujdes! Ky është artikull ekskluziv i Cogito.al, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Cogito.al, shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

Eksploro më shumë për këto tema

Përditësuar më E Diel, 1 nëntor 2026, 21:38 CET

2 min lexim

Shpërndaje këtë lajm

Mentor Kikia
Mentor Kikia

Analist

Mentor Kikia është gazetar, analist dhe pedagog, me mbi tri dekada përvojë në gazetari dhe komunikim publik. Karrierën e tij e nisi në vitin 1993. Ndër vite, ka ushtruar detyrat e gazetarit, redaktorit dhe kryeredaktorit në disa prej mediave më të rëndësishme në vend, si Top Channel dhe TV Klan. Gjithashtu, ka moderuar emisione televizive në Euronews Albania dhe MCN TV, si dhe ka kontribuar si analist në median online GazetaStart.com. Paralelisht me karrierën mediatike, ka shërbyer si lektor në Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Tiranës, ku ka ndarë përvojën dhe njohuritë e tij profesionale me studentët e gazetarisë. Në rolin e analistit, ai trajton zhvillimet politike, funksionimin e institucioneve, median dhe çështjet sociale.

Më shumë nga Mentor Kikia

Të gjithë artikujt e Mentor Kikia →

Komente

Duke ngarkuar komentet…