
Kryeministri Edi Rama, në një intervistë me gazetarin amerikan Andrew Callaghan të “Channel 5”, deklaroi se mafia shqiptare nuk ekziston. Ka shqiptarë që merren me krime, tha ai, por mafia shqiptare nuk ekziston.
Dhe ka shumë të drejtë!
Nëse dhjetë veta trafikojnë drogë, nuk kemi mafie. Kemi dhjetë sipërmarrës pa licencë. Nëse bashkëpunojnë, kemi ekonomi kolektive. Nëse kanë një shef, kemi strukturë menaxheriale. Nëse korruptojnë policinë, kemi marrëdhënie institucionale. Nëse financojnë politikanë, kemi pjesëmarrje në demokraci.
Mafia ekziston vetëm kur këta njerëz regjistrohen në Qendrën Kombëtare të Biznesit me emrin “Mafia Shqiptare sh.p.k.”.
Deri më sot nuk është gjetur një regjistrim i tillë. Prandaj mafia nuk ekziston.
Gazetari amerikan duhet të kuptojë se bota ka ndryshuar. Edhe mafia është modernizuar.
Dikur një mafioz duhej të shkelte ligjin për të ndërtuar në një zonë të mbrojtur. Sot ligji bëhet ashtu siç do ai që ka para dhe ai quhet investitor strategjik. Pra, nuk kemi shkelje të ligjit. Ligji e ka për detyrë të përshtatet me zhvillimin.
Ndryshon puna nëse një fshatar ndërton një dhomë pa leje, shteti ia shemb. Ose në rastin më flagrant, në tokën e fshatarit zbulohen disa rrënjë kanabis. Atëherë kemi SPAK dhe Grupin e Strukturuar Kriminal.
Nuk kemi mafie. Kemi zhvillim ekonomik. Kemi para të pastra. Por që ato të jenë të pastra, duhen pastruar. Kjo s’do as mend, as shkollë që ta kuptosh.
Pastrimi i parave ka përparuar. Dikur kriminelët i fshihnin paratë poshtë dyshekut. Sot kanë zbuluar betonin.
Betoni është një material i mrekullueshëm. Mund të përziejë çimento, hekur, rërë dhe, kur mungojnë kontrollet, edhe para me origjinë kriminale. Në fund del një pallat luksoz, me leje ndërtimi, ashensor dhe certifikatë pronësie. Betoni nuk flet. Ai thjesht forcohet.

Pastaj kemi amnistinë fiskale, një shpikje edhe më humane. Një qytetar punon tridhjetë vjet, paguan taksat dhe kursen njëqind mijë euro. Një tjetër ka një milion euro, por nuk mban mend nga i ka fituar.
Në vend që ta shqetësojmë me pyetje kot së koti, mund t’i ofrojmë një amnisti të gjerë, ku i japim të drejtën të nxjerrë paratë nga dysheku dhe t’i futë në banka. Dhe kështu forcohet edhe ekonomia.
Sepse shteti duhet të jetë mirëkuptues. Sidomos me njerëzit që kanë humbur kujtesën për milionat e tyre.
Të vijmë te tenderët.
Një biznesmen i zakonshëm studion kushtet e tenderit për të përgatitur ofertën. Një biznesmen i përgatit kushtet e tenderit.
Lexo edhe:
Ana groteske dhe ajo kriminale në përplasjen Rama-VeliajI pari konkurron.
I dyti bashkëpunon.
Nëse fiton gjithmonë e njëjta kompani, kjo tregon se është shumë e aftë. Nëse nuk ka konkurrentë, do të thotë se të tjerët janë dembelë. Nëse kontrata kushton dyfish, fajin e ka inflacioni.
Dhe kur ndonjë ministër apo drejtor përfundon në burg për korrupsion, sepse duhen disa statistika për Bashkimin Evropian, zbulohet se ka vepruar krejtësisht i vetëm. Ky është një fenomen i jashtëzakonshëm: kur ndahen paratë, të gjithë janë ekip. Kur vjen prokurori, ekipi zhduket.
Edhe zgjedhjet kanë njohur zhvillim: në kohët e vjetra, mafia ndihmonte një kandidat të fitonte dhe më pas mund të kërkonin një tender, një leje ndërtimi, një emërim ose pak mirëkuptim nga policia.

Në kohët moderne zhduket fare ndërmjetësi. Ai që deri dje quhej mafioz, bëhet vetë deputet. E pse duhet një hallkë e kotë me pushtetin e lartë? Dhe ka të drejtë. Kështu që kryeministri ka të drejtë kur thotë që nuk ekziston mafia shqiptare. Dhe ka të drejtë. Askund nuk gjen një njeri që të shkruajë në kartëvizitën e vet “Kriminel i krimit të organizuar”. Zakonisht shkruajnë “Biznesmen” ose “Investitor”.
Kjo nuk është mafia. Është demokraci pjesëmarrëse.
Tani le të shpjegojmë dallimin.
Mafia e vjetër kërcënonte biznesmenin për t’i marrë paratë. Mafia moderne është vetë biznesmeni që ka paratë.
Mafia e vjetër pushtonte pronën me armë. Mafia moderne ka nën kontroll gjithë infrastrukturën dixhitale të pronës. I shkrep t’i ndryshojë, i ndryshon. Pastaj vendos të blejë ndoshta edhe ndonjë kështjellë në Francë.
Mafia e vjetër korruptonte zyrtarin për të shkelur ligjin. Mafia moderne është vetë zyrtari.
Pra, ai gazetari idiot dhe naiv amerikan mendon se mafia është kostum i zi dhe pistoletë. I ziu ai. Kryeministri ka të drejtë: ajo mafie nuk ekziston.
Në përgjigje të paragjykimit të gazetarit amerikan, tek e-Albania do të krijohet një portal ku do të ketë një pyetësor me vetëm një pyetje: A ekziston mafia shqiptare?
Në komisionin e vlerësimit do të marrin pjesë politikanë, oligarkë, ndërtues, specialistë të tenderëve dhe ekspertë të amnistive fiskale. Për të garantuar paanshmërinë, anëtarët duhet ta njohin mirë njëri-tjetrin.
Nëse komisioni zbulon se mafia ekziston, ajo do të detyrohet të regjistrohet në QKB. Nëse zbulohet se nuk ekziston, të gjithë do të vazhdojnë punën të qetë.
@Fb., TH.G.
Më shumë nga Thoma Gëllçi
Të gjithë artikujt e Thoma Gëllçi →
Më të lexuarat: Opinione
- 1
- 2
- 3
- 4
- 5
Më shumë nga Opinion

Opinione të ngjashme
- 1
- 2
- 3
- 4
- 5
- 6
- 7
- 8
- 9
- 10










Komente
Duke ngarkuar komentet…