Ka nisur seanca plenare në Kuvendin e Shqipërisë.
Në rend dite është interpelanca me tre ministra, shqyrtimin e disa projektligjeve dhe ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për fazën e dytë të Reformës Administrativo-Territoriale.
Gjithashtu është parashikuar një interpelancë urgjente me ministrin e Punëve të Brendshme, Ervin Demo, kërkuar nga një grup deputetësh të Partisë Demokratike.
Po ashtu, do të zhvillohen dy interpelanca me ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, të kërkuara nga deputetët Ermal Pacaj dhe Tedi Blushi, si dhe një interpelancë me ministrin e Financave, Petrit Malaj, e kërkuar nga deputeti Tedi Blushi.
Gjatë seancës pritet të shqyrtohen disa projektligje, mes të cilave ratifikimi i Konventës së Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Profesionit të Avokatit, marrëveshja me Maqedoninë e Veriut për ngritjen e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar dhe kryerjen e kontrolleve të përbashkëta, si dhe ndryshimet në ligjin për shërbimet e pagesave.
Në rendin e ditës janë përfshirë gjithashtu projektligji për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, ndryshimet në ligjin për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to, si dhe projektligji për treguesit gjeografikë për produktet artizanale dhe industriale.
Deputetët do të shqyrtojnë edhe projektvendimin për ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për fazën e dytë të Reformës Administrativo-Territoriale në Republikën e Shqipërisë.
Comments
Loading comments…