PLASI NË KUÇOVË

Veliaj sfidon Ramën

Lutfi Dervishi
Lutfi Dervishi

Text

VELIAJ SFIDON RAMËN

Erion Veliaj nuk po kërkon më vetëm shpjegime për transferimin nga një burg në tjetrin, por po kërkon llogari nga Edi Rama.

Me postimin e pasdites, konflikti mes tyre del hapur në publik dhe ky konflikt nuk ka të bëjë vetëm me fatin politik të kryebashkiakut të Tiranës.

Veliaj pretendon se ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, në takimin e së premtes vonë, i ka përcjellë tri kërkesa: të pranojë përfshirjen në protestat studentore, të heqë dorë nga drejtimi i Bashkisë Tiranë dhe të ndërpresë këshillimin me avokatin e tij.

Ministri e konfirmon takimin, por mohon përmbajtjen e pretenduar të bisedës.

Çfarë është thënë në qelinë e burgut të Fierit ka rëndësi juridike dhe kërkon verifikim, por politikisht, rëndësia e postimit shkon shumë më tej.

Për herë të parë, Veliaj e sfidon Ramën publikisht me një gjuhë që nuk lë shumë hapësirë për keqkuptime. Ai nuk kërkon më mbështetjen e kryeministrit, por i kërkon të japë prova për pretendimet mbi përfshirjen e tij në protesta dhe e mbyll me dy fjalë: “Ndryshe ik!”

Veliaj e nis deklaratën duke iu drejtuar socialistëve dhe duke nënvizuar se nuk e sulmon shtëpinë e vet politike, duke u përpjekur të ndajë Partinë Socialiste nga kryetari i saj.

Veliaj nuk shpall luftë kundër PS-së, por hyn në konflikt të hapur me kryetarin e saj.

Nëse socialistët sonte fillojnë të pyesin nëse duhet të mbështesin partinë apo të mbrojnë çdo vendim të kryetarit, debati nuk mbetet më personal, ndërsa për Ramën lind problemi i radhës. Deri tani është përballur me menaxhimin e skandaleve në qeverisje, protestat në rrugë dhe opozitën në Parlament. Tani përballet edhe me akuza publike nga një prej bashkëpunëtorëve të tij më të njohur.

Për Veliajn, kjo është një zgjedhje me pasoja. Ai mund të fitojë vëmendje dhe hapësirë për të kërkuar transparencë dhe respektimin e të drejtave të tij, por njëkohësisht duket se i ka mbyllur hesapet me Ramën. A ka ai një plan? A ka njerëz dhe a ka bërë llogaritë e pragmatizmit që të imponon pushteti?

Për Partinë Socialiste, çështja është nëse konflikti do të mbetet mes dy individëve, do të kalojë në heshtje apo do të hapë një debat për mënyrën e ushtrimit të pushtetit brenda saj.

Për drejtësinë, pyetja është më e thjeshtë: a është ushtruar presion ndaj një të paraburgosuri dhe a është kërkuar ndryshimi i avokatit të tij?

Nga disa miq, pa lidhje me njëri-tjetrin, kam marrë sot në WhatsApp të njëjtin mesazh me dy fjalë: “Plasi në Kuçovë!”

Zhvillimet e fundit brenda PS-së të kujtojnë një të vërtetë të vjetër: atë që ta bën lufta brenda llojit, nuk ta bën as Ir(f)ani, as Rusia, as Amerika.

Kundërshtarin mund ta akuzosh se kërkon të të marrë pushtetin, por është ndryshe kur të kërkon llogari ai me të cilin ke ndarë pushtet.

Kujdes! Ky është artikull ekskluziv i Cogito.al, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Cogito.al, shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

Last modified Mon, 2 Nov 2026 20:48 CET

2 min read

Share this story

Lutfi Dervishi
Lutfi Dervishi

Analist

Lutfi Dervishi është gazetar, analist politik dhe pedagog, me mbi 30 vite përvojë në gazetari dhe komunikim publik. Ka drejtuar disa media, përfshirë gazetat Republika dhe Albania, si dhe Departamentin e Informacionit në RTSH. Ka bashkëpunuar me BBC, Radio Evropa e Lirë dhe Radio France Internationale. Për shumë vite ka drejtuar Transparency International Albania dhe ka qenë pedagog i Gazetarisë Investigative në Universitetin e Tiranës. Kontributi i tij përfshin gazetarinë, edukimin profesional, etikën mediatike dhe analizën e zhvillimeve politike, demokracisë, institucioneve dhe llogaridhënies publike.

More from Lutfi Dervishi

All articles by Lutfi Dervishi →

Comments

Loading comments…