Erion Veliaj kundërshton transferimin në Fier: Nuk më kanë vënë në dispozicion urdhrin

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, pretendon se autoritetet e burgjeve i kanë refuzuar kërkesën për t’u njohur me aktin dhe arsyet ligjore të transferimit. Ai u kërkon Ministrisë së Drejtësisë, Avokatit të Popullit dhe Komitetit Shqiptar të Helsinkit të ndërhyjnë urgjentisht.

Admin
Admin

Erion Veliaj kundërshton transferimin në Fier: Nuk më kanë vënë në dispozicion urdhrin
Teksti

Erion Veliaj ka kundërshtuar transferimin nga Institucioni i Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) në Durrës drejt burgut të Fierit, duke pretenduar se procedura po kryhet pa transparencë dhe pa i vënë në dispozicion dokumentacionin përkatës.

Në një deklaratë për shtyp të publikuar në Facebook më 28 tetor 2026, Veliaj bëri të ditur se një grup punonjësish të Policisë së Burgjeve, të dërguar nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, janë paraqitur në institucionin e Durrësit për ta transferuar në Fier.

Sipas tij, pavarësisht kërkesave të përsëritura, si nga ai vetë, ashtu edhe nga avokati i tij, autoritetet kanë refuzuar t’u vënë në dispozicion aktin që urdhëron transferimin dhe arsyet që e justifikojnë atë.

Veliaj e cilëson këtë procedurë si cenim të të drejtave të tij ligjore, duke argumentuar se një transferim i detyruar, pa u bërë i njohur akti përkatës dhe baza ligjore, përbën, sipas tij, një “rrëmbim policor”.

Ai thekson gjithashtu se nuk ka dhënë pëlqimin për transferimin dhe se ka kundërshtuar mënyrën e zbatimit të tij, për shkak të mungesës së transparencës dhe pamundësisë për të ushtruar në mënyrë efektive të drejtat e tij ligjore.

Në deklaratën e tij, kryebashkiaku i Tiranës u ka bërë thirrje publike Ministrit të Drejtësisë, Avokatit të Popullit dhe Komitetit Shqiptar të Helsinkit që të ndërhyjnë urgjentisht për të verifikuar arsyet dhe shkaqet e asaj që ai e cilëson si transferim politik. /Cogito/

Përditësuar më E Mërkurë, 28 tetor 2026, 15:04 CET

1 min lexim

Shpërndaje këtë lajm

Komente

Duke ngarkuar komentet…