Ndahet nga jeta në moshën 101-vjeçare akademiku Luan Omari, humbje për shkencën dhe mendimin kushtetues në vend

Akademia e Shkencave e Shqipërisë njofton ndarjen nga jeta të akademik Luan Omarit, një prej figurave të shquara të mendimit juridik shqiptar, i cili u nda nga jeta më 29 tetor 2026, në moshën 101-vjeçare.

Admin
Admin

Ndahet nga jeta në moshën 101-vjeçare akademiku Luan Omari, humbje për shkencën dhe mendimin kushtetues në vend
Teksti

Luan Omari ishte anëtar themelues i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, si dhe ish-sekretar shkencor dhe zëvendëskryetar i saj. Për dekada me radhë, ai dha një kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e shkencave juridike, arsimit të lartë dhe mendimit kushtetues në vend.

I lindur më 10 qershor 1925 në Tiranë, Omari kreu studimet për drejtësi në Beograd dhe Sofje, përpara se t’ia kushtonte jetën veprimtarisë akademike dhe kërkimit shkencor. Ai shërbeu si docent i së Drejtës Publike, dekan i Fakultetit të Drejtësisë në Universitetin e Tiranës për gati dy dekada dhe profesor i Teorisë së Shtetit e së Drejtës dhe së Drejtës Publike.

Përveç veprimtarisë së tij universitare, akademik Omari përfaqësoi Shqipërinë në Komisionin e Venecias pranë Këshillit të Evropës, duke kontribuar në debatet mbi demokracinë dhe të drejtën kushtetuese. Ai ishte autor i dhjetëra studimeve dhe monografive mbi historinë e së drejtës, sistemin juridik shqiptar dhe zhvillimin kushtetues të vendit.

Pas viteve ’90, ai mori pjesë në proceset dhe debatet për hartimin e Kushtetutës së Shqipërisë dhe të legjislacionit kushtetues, duke lënë gjurmë në formimin e brezave të tërë juristësh dhe akademikësh.

Për kontributin e tij të jashtëzakonshëm, në vitin 2020 u nderua nga Presidenti i Republikës me dekoratën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”. Ndërsa në vitin 2016, Akademia e Shkencave e Shqipërisë i akordoi Çmimin e Karrierës Akademike.

Në njoftimin e saj, Akademia e Shkencave shprehu ngushëllimet për familjen, të afërmit, miqtë, kolegët dhe gjithë bashkësinë shkencore, duke vlerësuar jetën dhe veprën e një dijetari që ia kushtoi dekada të tëra zhvillimit të shkencës dhe së drejtës në Shqipëri.

Homazhet për akademik Luan Omarin do të zhvillohen më 30 tetor 2026, në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë. Në orën 10:00 do të mbahet akademia solemne në sallën “Aleks Buda”, ndërsa nga ora 11:00 deri në 13:00 do të zhvillohen homazhet. Në orën 13:00 do të mbahet fjala e lamtumirës nga kryetari i Akademisë së Shkencave, akademik Skënder Gjinushi.

Me ndarjen e tij nga jeta, Shqipëria humbet një personalitet të shquar të shkencës dhe të mendimit juridik, ndërsa vepra e tij mbetet pjesë e rëndësishme e trashëgimisë akademike shqiptare.

I paharruar kujtimi i akademik Luan Omarit!

2 min lexim

Shpërndaje këtë lajm

Komente

Duke ngarkuar komentet…