Akti normativ i Qeverisë / Hyjnë në fuqi masat anti-dhunë, policia vendos “kushtet” e protestës, gjoba deri në 500 mijë lekë për tubuesit me maska, “listë e zezë” për udhëtimet në Evropë

Kanë hyrë në fuqi masat e reja të paketës kundër dhunës, të prezantuar disa ditë më parë nga kryeministri Edi Rama, të cilat parashikojnë ashpërsim të gjobave për shkeljet gjatë tubimeve, kufizime të përkohshme në zona të caktuara dhe krijimin e një regjistri të posaçëm elektronik për personat e referuar ose nën hetim për vepra penale të dhunshme gjatë manifestimeve publike.

Admin
Admin

Akti normativ i Qeverisë / Hyjnë në fuqi masat anti-dhunë, policia vendos “kushtet” e protestës, gjoba deri në 500 mijë lekë për tubuesit me maska, “listë e zezë” për udhëtimet në Evropë
Teksti

Sipas ndryshimeve në ligjin për tubimet, pjesëmarrja në një tubim të ndaluar dhe fshehja e paligjshme e identitetit dënohen me gjoba nga 10 mijë deri në 100 mijë lekë. Për mosbindjen ndaj urdhrit të policisë për shpërndarjen e tubimit, gjoba mund të arrijë deri në 200 mijë lekë, ndërsa në rastet kur personi është i maskuar, masa financiare shkon nga 50 mijë deri në 500 mijë lekë.

Ndërkohë, personat që bllokojnë rrugët dhe pengojnë qarkullimin e mjeteve gjatë tubimeve do të gjobiten me 5 mijë lekë për çdo ditë bllokimi. Gjobat do të vendosen nga Policia e Shtetit, në përputhje me legjislacionin për kundërvajtjet administrative.

Paketa e re i jep drejtuesit të drejtorisë vendore të policisë, me miratimin e prefektit, mundësinë për të ndaluar ose kufizuar tubimet në një perimetër të përcaktuar rreth institucioneve arsimore, shëndetësore ose shtetërore, kur ekziston një rrezik real, serioz dhe i afërt për dhunë ose dëmtime të rënda të pronës. Kufizimi mund të zgjasë deri në 72 orë dhe mund të rinovohet vetëm një herë, me një vendim të ri të arsyetuar.

Ndryshimet përcaktojnë gjithashtu zona të mbrojtura, ku përfshihen stacionet dhe terminalet e transportit publik, portet, aeroportet, perimetrat e institucioneve arsimore e shëndetësore dhe objektet e trashëgimisë kulturore. Në raste të caktuara, policia mund të urdhërojë largimin e një personi nga këto zona për një periudhë deri në 48 orë.

Një tjetër parashikim lidhet me mesazhet që përmbajnë thirrje për dhunë gjatë organizimit ose zhvillimit të tubimeve. Policia mund t’u kërkojë personave të identifikuar fshirjen e përmbajtjeve të tilla dhe mos përsëritjen e veprimeve. Nëse përmbajtja nuk fshihet ose veprimet përsëriten, do të ndërmerren masat përkatëse ligjore. Po ashtu, policia do të regjistrojë me mjete audiovizuale paralajmërimet për shpërndarjen e tubimeve, si dhe aktet e dhunës ndaj personave ose dëmtimet e pronës, duke iu nënshtruar rregullave për ruajtjen dhe përpunimin e të dhënave personale.

Krahas ndryshimeve në ligjin për tubimet, qeveria ka miratuar edhe krijimin e një regjistri të posaçëm elektronik për personat e referuar në prokurori ose nën hetim për vepra penale kundër autoritetit shtetëror, rendit dhe sigurisë publike, kur faktet lidhen me veprime të dhunshme gjatë grumbullimeve dhe manifestimeve publike.

Regjistri do të administrohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit dhe do të përmbajë të dhëna për personat e identifikuar në materialet e referuara në prokurori, për të cilët dokumentohen veprime konkrete të dhunshme ndaj personave ose pronës publike dhe private.

Vendimi parashikon që Policia Kufitare të ketë akses të kufizuar në regjistër për verifikimet kufitare dhe zbatimin e masave ligjore. Në rastet kur nga verifikimi individual rezultojnë të dhëna konkrete për pjesëmarrje në veprime të dhunshme, autoritetet kufitare mund të refuzojnë administrativisht daljen jashtë vendit, sipas kushteve të përcaktuara në legjislacionin për kontrollin e kufirit shtetëror.

Nëse personit nuk i refuzohet dalja, autoritetet kufitare parashikohet të njoftojnë autoritetet e vendit ku ai udhëton për faktin se është referuar për veprat përkatëse.

Policia parashikohet gjithashtu të njoftojë strukturat private të akomodimit për personat për të cilët ka të dhëna konkrete për pjesëmarrje në veprime të dhunshme dhe për të cilët materialet janë referuar në prokurori. Sipas vendimit, nevoja për ruajtjen e të dhënave të personave të referuar duhet të rishikohet brenda 30 ditëve nga regjistrimi. Në rast se prokuroria njofton mosfillimin e procedimit penal ose pushimin e çështjes, të dhënat e personit fshihen nga regjistri.

Vendimi përcakton se përpunimi dhe shkëmbimi i të dhënave duhet të kryhen në përputhje me legjislacionin për mbrojtjen e të dhënave personale, duke garantuar konfidencialitetin, kufizimin e aksesit dhe proporcionalitetin.

++Më poshtë dokumenti i plotë++

AKT NORMATIV

PËR

SHPËRBLIMIN E DËMIT CIVIL TË SHKAKTUAR NDAJ SUBJEKTEVE TË PREKURA NGA AKTET E DHUNSHME GJATË TUBIMEVE DHE RREGULLIMIN E PASOJAVE

Në mbështetje të nenit 101 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Ekonomisë dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Neni 1

Objekti

Objekt i rregullimit të këtij akti normativ është krijimi i një skeme kompensimi nga shteti për dëmet materiale të shkaktuara nga aktet e dhunshme gjatë tubimeve, të kryera nga individë, persona juridikë apo organizata të tjera, nga data 13.10.2026 deri në datën 22.10.2026, mbi pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme të personave fizikë ose juridikë privatë, që kategorizohen si biznese/tatimpagues, me kufi të qarkullimit deri në 14 milionë lekë, bazuar në deklaratën vjetore të vitit 2025.

Neni 2

Qëllimi

Qëllimi i këtij akti normativ është kompensimi i subjekteve të dëmtuara, pa ndryshuar kushtet materiale të përgjegjësisë civile të shkaktuesit të dëmit, sipas Kodit Civil.

Neni 3

Etapat e trajtimit

1. Dëmet e shkaktuara, në kushtet që përcakton neni 1, i këtij akti normativ, trajtohen sipas etapave të mëposhtme:

a) Kompensimi nga shteti i personave fizikë dhe juridikë privatë, që kategorizohen si biznese/tatimpagues, me kufi të qarkullimit deri në 14 milionë lekë, bazuar në deklaratën vjetore të vitit 2025, sipas rregullave të përcaktuara në këtë akt normativ. Masa e kompensimit që jepet nga shteti, sipas këtij akti normativ, është në vlerën e plotë të dëmit;

b) Kërkimi i kthimit te shteti i shumës, në masën e kompensimit të paguar të dëmtuarit, ndaj subjekteve përgjegjëse për shkaktimin e dëmit, sipas nenit 5, të këtij akti normativ.

2. Kompensimi, sipas këtij akti normativ, jepet vetëm për pasuritë që nuk janë të siguruara. Kur pasuria e dëmtuar është e siguruar, dëmi shpërblehet nga shoqëria e sigurimit, sipas kontratës së sigurimit, e cila, pas pagesës, ushtron të drejtën e regresit ndaj shkaktuesit të dëmit, sipas legjislacionit në fuqi. Kur kontrata e sigurimit nuk e mbulon rrezikun e dëmtimit nga trazirat, tubimet ose aktet e dhunshme, pasuria konsiderohet e pasiguruar, për qëllim të këtij akti normativ. Në rast se kontrata e sigurimit nuk e mbulon plotësisht vlerën e dëmit të shkaktuar, pjesa e pambuluar kompensohet sipas rregullave të këtij akti normativ.

Neni 4

Kompensimi në favor të të dëmtuarit

1. Personi fizik ose juridik privat, ndaj të cilit është shkaktuar një dëm gjatë tubimit të dhunshëm, pas hyrjes në fuqi të këtij akti normativ, paraqet kërkesë për kompensim pranë administratës tatimore, së bashku me:

a) dokumentacionin justifikues, që vërteton vlerën e sendeve që janë shkatërruar ose janë dëmtuar;

b) provat për faktin se dëmi është shkaktuar gjatë tubimit të dhunshëm nga protestuesit, nëse ai disponon të tilla;

c) nëse disponon, provat për identifikimin e protestuesit që ka shkaktuar dëmin;

ç) deklaratën e kërkuesit, nëse pasuria e dëmtuar është ose jo e siguruar dhe, kur ekziston kontratë sigurimi që nuk e mbulon këtë rrezik, kopjen e policës dhe përgjigjen e shoqërisë së sigurimit që e refuzon dëmshpërblimin, ndërsa kur pasuria është e siguruar pjesërisht, kopjen e policës së sigurimit dhe vendimin e shoqërisë së sigurimit për mbulimin e dëmit pjesërisht.

2. Administrata tatimore pranon kërkesat për kompensim, verifikon plotësinë e dokumentacionit dhe kryen mbledhjen paraprake të të dhënave që disponon për kërkuesin, përfshirë të dhënat për regjistrimin, qarkullimin e deklaruar në deklaratën vjetore të vitit 2025, faturat tatimore dhe inventarin e deklaruar dhe, brenda 5 ditëve punë nga marrja e kërkesës, ia përcjell ministrisë përgjegjëse për ekonominë kërkesën, së bashku me dokumentacionin e paraqitur nga kërkuesi. Në rast se administratës tatimore i paraqiten të dhëna shtesë pas çastit të përcjelljes së praktikës pranë Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit, ajo ia dërgon menjëherë të dhënat e reja kësaj ministrie.

3. Rregullat e hollësishme për mënyrën e paraqitjes së kërkesës, dokumentacionin që e shoqëron atë, përfshirë numrin e llogarisë së subjektit të dëmtuar, mbledhjen paraprake të të dhënave dhe përcjelljen e tyre në Ministrinë e Ekonomisë dhe Inovacionit, përcaktohen me udhëzim të ministrit përgjegjës për financat.

4. Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, pas administrimit të dokumentacionit dhe të të dhënave të përcjella nga administrata tatimore, i kërkon Policisë së Shtetit, që, brenda 30 ditëve të verifikojë, në bazë të informacionit të administruar prej saj, nëse rezulton që dëmi të jetë shkaktuar gjatë tubimit të dhunshëm dhe nga protestuesit ose jo, apo nëse ka të dhëna kontradiktore, me provat e paraqitura prej kërkuesit. Si provë mund të shërbejë edhe dokumentacioni i hartuar nga punonjësit e policisë të pranishëm gjatë zhvillimit të tubimit të dhunshëm.

5. Procedura e shqyrtimit të dokumentacionit të ardhur nga administrata tatimore, verifikimit me Policinë e Shtetit, vlerësimit të dëmit nga ekspertë të licencuar, si dhe mënyra e kryerjes së pagesës së kompensimit përcaktohen me udhëzim të ministrit përgjegjës për ekonominë.

Përveç marrjes së informacionit nga Policia e Shtetit, nëse e vlerëson të nevojshme, Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit mund t’u kërkojë informacion dhe bashkërendim të punës edhe institucioneve të tjera shtetërore, në përputhje me kompetencat ligjore të tyre, për qëllimet e zbatimit të këtij neni.

6. Në rast se nga verifikimi i këtyre të dhënave evidentohet se dëmi është shkaktuar gjatë tubimit të dhunshëm dhe nga protestuesit, atëherë Policia e Shtetit i konfirmon Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit këtë fakt dhe kjo ministri pranon kërkesën për kompensim, e cila brenda 30 ditëve nga përfundimi i evidentimit, vendos kalimin e shumës në llogarinë bankare të personit fizik/juridik, Në të kundërt, nëse nuk ka prova të mjaftueshme për të përcaktuar nëse dëmi është shkaktuar gjatë tubimit të dhunshëm nga protestues, atëherë Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit nuk pranon kërkesën e personit, si dhe e njofton për këtë fakt.

7. Kompensimi, sipas këtij neni, për dëmet që policia i konstaton si të kryera gjatë tubimit të dhunshëm, realizohet, pavarësisht faktit, nëse është arritur të identifikohet subjekti që ka shkaktuar dëmin apo organizata që e ka urdhëruar atë, ose që ka organizuar protestën. Në çdo rast, subjekti i dëmtuar përfiton shpërblimin, brenda afateve të përcaktuara në këtë nen.

8. Subjekti që ka paraqitur kërkesë për të përfituar kompensimin, sipas këtij neni, dhe që e pranon shumën e kompensimit, konsiderohet i shpërblyer deri në masën e shumës së paguar dhe nuk mund ta kërkojë sërish këtë shumë nga shkaktuesi i dëmit. I dëmtuari ruan të drejtën, që, sipas Kodit Civil, të kërkojë pjesët dhe llojet e tjera të dëmit që nuk i përfiton, sipas këtij akti normativ, ndaj subjektit që ka shkaktuar dëmin. Me pagesën, shtetit i lind e drejta për t’i kërkuar subjektit që ka shkaktuar dëmin kthimin e shumës, sipas nenit 5, të këtij akti normativ.

9. Udhëzimet e parashikuara në këtë nen miratohen brenda 7 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij akti normativ.

10. Efektet financiare për kompensimin e të dëmtuarve përballohen nga buxheti i ministrisë përgjegjëse për ekonominë, fondet për të cilat alokohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

Neni 5

Kthimi i vlerës së dëmit të shkaktuar

1. Në rastet kur kryhet kompensimi, sipas nenit 4, të këtij akti normativ, shteti ka të drejtën e regresit ndaj subjektit që ka shkaktuar dëmin, për vlerën e kompensimit të dhënë ndaj të dëmtuarit. Nëse Policia e Shtetit e ka identifikuar individin/ët që ka/kanë shkaktuar dëmin, ia njofton atë Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit së bashku me informacionin e vënë në dispozicion, sipas nenit 4, të këtij akti normativ, ose, në rast se kjo nuk dihet në atë moment, ia komunikon menjëherë pasi ta ketë kryer identifikimin. Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit njofton Avokaturën e Shtetit, e cila fton subjektin e identifikuar që të kthejë vullnetarisht shumën e kompensimit. Nëse subjekti nuk e shlyen shumën brenda 30 ditëve, Avokatura e Shtetit është e autorizuar, në bazë të këtij akti normativ, për të ngritur padinë e regresit ndaj subjektit që ka shkaktuar dëmin, në masën e kompensimit të dhënë ndaj të dëmtuarit.

2. Nëse ndaj personit është marrë vendim gjyqësor i formës së prerë për pafajësinë ose vendim për pushimin e çështjes/ndjekjes penale, për shkak se ka rezultuar se nuk e ka kryer ai veprën, Avokatura e Shtetit heq dorë nga gjykimi i padisë.

3. Padia për kthimin e shumës i kundrejtohet subjekteve të identifikuara që kanë shkaktuar dëmin, si dhe personit juridik/organizatës që ka organizuar protestën/tubimin e dhunshme/ëm (nëse ka të tillë), e cila është përgjegjëse solidarisht për dëmin e shkaktuar. Kur subjektet që kanë shkaktuar dëmin janë të mitur nën 14 vjeç ose persona të pazotë për të vepruar, përgjegjës janë prindërit, kujdestari ose ata të cilëve u janë besuar ose i kanë në mbikëqyrje personat e pazotë, përveç kur provojnë se nuk kanë mundur të ndalonin shkaktimin e dëmit, në përputhje me nenin 613, të Kodit Civil. Kur subjektet që kanë shkaktuar dëmin janë të mitur mbi 14 vjeç, prindërit ose kujdestari përgjigjen për dëmin e mësipërm kur i mituri nuk nxjerr të ardhura nga puna ose nuk ka vetë pasuri, përveç kur provojnë se nuk kanë mundur të ndalonin shkaktimin e dëmit, në përputhje me nenin 614, të Kodit Civil.

4. Parashikimet e këtij neni për ngritjen e padisë së regresit nga Avokatura e Shtetit kundrejt subjekteve, që kanë shkaktuar dëm civil ndaj personave fizikë dhe juridikë privatë, nuk interpretohen në asnjë rast si kufizim i së drejtës së Avokaturës për të kërkuar shpërblimin e dëmit, në rastet kur të dëmtuarit nga aktet e dhunës janë institucionet publike, në emër dhe për llogari të këtyre institucioneve. Për dëmet e shkaktuara ndaj pasurisë shtetërore dhe publike, institucionet e dëmtuara dhe Policia e Shtetit i vënë në dispozicion Avokaturës së Shtetit listën e personave ose organizatës/ave që ka/kanë shkaktuar dëmin, të dhënat për dëmin e shkaktuar dhe për identifikimin e subjekteve përgjegjëse, në mënyrë që kjo e fundit të ngrejë padinë e shpërblimit të dëmit ndaj tyre në përputhje me dispozitat e Kodit Civil.

Neni 6

Sanksionet administrative

Ndaj personave që u është vlerësuar i ligjshëm arresti, drejtoria vendore përkatëse e Policisë së Shtetit vendos gjobë, sipas nenit 24/1 të ligjit nr.8773, datë 23.4.2001 “Për tubimet”, kur është urdhëruar shpërndarja e tubimit/organizimit/grumbullimit të paligjshëm dhe gjatë zhvillimit të tij janë kryer krime.

Neni 7

Ankimi

Subjektet ndaj të cilave është vendosur gjobë, sipas nenit 6, të këtij akti normativ, kanë të drejtë të ushtrojnë ankimin gjyqësor, në përputhje me rregullat dhe afatet e parashikuara në ligjin për gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative.

Neni 8

Hyrja në fuqi

Ky akt normativ hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Përditësuar më E Mërkurë, 28 tetor 2026, 21:59 CET

11 min lexim

Shpërndaje këtë lajm

Komente

Duke ngarkuar komentet…