Ministri i Jashtëm polak 'fajëson' presidentin për krizën në Gjykatën Kushtetuese

Ministri i Jashtëm i Polonisë, Radosław Sikorski, ka reaguar lidhur me përplasjet e fundit rreth Gjykatës Kushtetuese në Varshavë, duke thënë se çështja kryesore është rikthimi i sundimit të ligjit në një institucion që, sipas tij, ishte politizuar nga qeveria e mëparshme.

Cogito
Cogito

Ministri i Jashtëm polak 'fajëson' presidentin për krizën në Gjykatën Kushtetuese
Teksti

Në një reagim të publikuar në rrjetin social X, Sikorski theksoi se qeveria populiste, e cila humbi pushtetin në zgjedhjet e vitit 2023, kishte politizuar Gjykatën Kushtetuese.

Ai pretendoi se kryetari i institucionit kishte shkelur vazhdimisht ligjin, duke ua kaluar çështjet me ndjeshmëri politike gjyqtarëve të përzgjedhur prej tij.

Sipas Sikorskit, gjykata madje kishte dështuar të miratonte edhe buxhetin e saj.

Duke komentuar ngjarjet e mbrëmshme në Gjykatën Kushtetuese, ministri pranoi se zhvillimet në Varshavë nuk ishin elegante, por argumentoi se alternativa do të ishte pranimi i një transformimi antikushtetues të Polonisë në republikë presidenciale.

Sikorski theksoi se Polonia vazhdon të qeveriset nga një koalicion qeveritar i dalë nga zgjedhjet parlamentare.

Polonia është përfshirë në një përplasje të ashpër politike dhe institucionale mes qeverisë së kryeministrit Donald Tusk dhe presidentit Karol Nawrocki, për kontrollin dhe drejtimin e Gjykatës Kushtetuese.

Për ta kuptuar krizën e fundit, duhet të kthehemi në vitin 2015, kur partia nacional-konservatore Ligj dhe Drejtësi (PiS) erdhi në pushtet dhe nisi ndryshimet në sistemin gjyqësor.

1. Si nisi konflikti?

Në vitin 2015, qeveria e PiS-it emëroi gjyqtarë në vende që konsideroheshin tashmë të plotësuara. Më pas, gjatë viteve në pushtet, ajo ndërmori ndryshime në sistemin e drejtësisë, duke shkaktuar përplasje me institucionet evropiane, të cilat e akuzuan për cenimin e pavarësisë së gjyqësorit.

PiS humbi zgjedhjet parlamentare në vitin 2023, ndërsa pushtetin e mori koalicioni i udhëhequr nga Donald Tusk.

Qeveria e re nisi përpjekjet për të reformuar institucionet e drejtësisë dhe për të ndryshuar përbërjen e Gjykatës Kushtetuese, duke argumentuar se ajo ishte politizuar nga pushteti i mëparshëm.

Megjithatë, këto përpjekje u penguan nga presidenti Karol Nawrocki, aleat politik i PiS-it, i cili kundërshtoi disa emërime të gjyqtarëve.

2. Çfarë ndodhi më 30 tetor 2026?

Kriza u përshkallëzua të premten, kur shtatë gjyqtarë të zgjedhur nga parlamenti hynë në selinë e Gjykatës Kushtetuese në Varshavë.

Më pas, gjyqtarja Anna Korwin-Piotrowska njoftoi se po merrte drejtimin e institucionit dhe pezulloi nga detyra kryetarin Bogdan Swięczkowski dhe zëvendëskryetarin Bartlomiej Sochanski.

Ky vendim u kundërshtua nga drejtuesit ekzistues të gjykatës, të cilët e cilësuan veprimin të paligjshëm dhe pretenduan se po tentohej marrja e kontrollit të institucionit.

Në të njëjtën kohë, ministri i Drejtësisë dhe prokurori i përgjithshëm, Waldemar Zurek, kishte kërkuar heqjen e imunitetit të dy drejtuesve të gjykatës, me qëllim që të mund të përballeshin me akuza penale. Kërkesat lidhen me pretendimet për shkelje gjatë ushtrimit të funksioneve të tyre.

2 min lexim

Shpërndaje këtë lajm

Komente

Duke ngarkuar komentet…