
Evropa feston rënien e Vuçiçit, por a do të ndryshojë Serbia politikën e jashtme?
Fitorja historike e studentëve serbë, që i dhanë fund dominimit politik të Aleksandar Vuçiçit, është pritur me entuziazëm në Bruksel dhe kryeqytetet e Ballkanit, ku ndryshimi i pushtetit në Beograd shihet si mundësia për një fillim të ri.

Megjithatë, pas urimeve dhe deklaratave optimiste mbetet një pikëpyetje thelbësore: a do të ndryshojë Serbia vetëm qeverinë, apo edhe politikën e saj të jashtme, e cila prej vitesh lëviz mes aspiratës për anëtarësim në Bashkimin Evropian, marrëdhënieve të privilegjuara me Rusinë dhe Kinën, si dhe qëndrimit të pandryshuar ndaj pavarësisë së Kosovës?
Sipas rezultateve paraprake të zgjedhjeve të 25 tetorit, Lista Studentore siguroi mbi 52% të votave, kundrejt rreth 39% të koalicionit të Vuçiçit, i cili e pranoi humbjen. Fitorja erdhi pas gati dy vitesh protestash, që nisën pas tragjedisë së Novi Sadit, ku shembja e një strehe betoni në stacionin hekurudhor shkaktoi vdekjen e 16 personave dhe u shndërrua në simbol të korrupsionit dhe mungesës së përgjegjësisë institucionale.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, përshëndeti rezultatin, duke shprehur gatishmërinë për të mbështetur qeverinë e ardhshme.

“Ne jemi të gatshëm të mbështesim reformat në sundimin e ligjit, lirinë e medias, luftën kundër korrupsionit dhe forcimin e institucioneve demokratike, si dhe të punojmë së bashku për të çuar përpara të ardhmen e Serbisë në Bashkimin Evropian”, shkroi ajo.
Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, deklaroi se tani “mund të nisë një kapitull i ri për Serbinë. Dera e Bashkimit Evropian është e hapur dhe ne jemi të gatshëm të ecim përpara së bashku”.

Megjithatë, optimizmi evropian nuk e zgjidh automatikisht kontradiktën që karakterizon politikën e jashtme serbe. Beogradi është kandidat për anëtarësim në BE, por ka refuzuar sanksionet kundër Rusisë, ka ruajtur lidhjet me Moskën dhe Pekinin, ndërsa dialogu për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën ka mbetur i bllokuar.

Madje, programi i studentëve nuk paralajmëron ndonjë kthesë të menjëhershme gjeopolitike. Një analizë e Qendrës Polake për Studime Lindore (OSW) vëren se lëvizja ka shmangur pozicionimet e qarta ndërkombëtare, duke u përqendruar te korrupsioni dhe largimi i Vuçiçit. Studentët janë shprehur kundër sanksioneve ndaj Rusisë, ndërsa për Kosovën nuk kanë propozuar ndryshimin e qëndrimit kushtetues serb.
Read also:
Studentët mundën Vuçiçin, fituan zgjedhjet në Serbi! CeSID publikon rezultatet paraprake: Morën 52.1% të votave, ja si ndahet pjesa tjetërKjo strategji u mundësoi të bashkonin votues proevropianë, nacionalistë dhe mbështetës të marrëdhënieve me Rusinë. Sipas të dhënave të cituara nga OSW, 75% e mbështetësve të Listës Studentore preferojnë marrëdhënie më të afërta me BE-në sesa me Rusinë, por kjo nuk nënkupton domosdoshmërisht mbështetje për ndryshimin e politikës ndaj Kosovës.
Fitorja u përshëndet edhe nga Mali i Zi, Kroacia dhe Bosnjë-Hercegovina. Kryeministri malazez Milojko Spajiç shprehu besimin se marrëdhëniet mes dy vendeve do të hynin në një kapitull të ri, ndërsa edhe Milorad Dodik, aleati i vjetër i Vuçiçit, uroi studentët, duke premtuar vazhdimësinë e lidhjeve të ngushta mes Republikës Srpska dhe Serbisë.

Për Brukselin, qeveria e re krijon mundësinë e rikthimit të reformave demokratike, por kushtet për integrimin mbeten të njëjta: sundimi i ligjit, përafrimi me politikën e jashtme evropiane dhe normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën.
Në fund, fitorja e studentëve dëshmoi se shoqëria serbe ishte e gatshme të ndryshonte modelin e qeverisjes, por jo domosdoshmërisht bindjet e saj për Kosovën, Rusinë apo vendin e Serbisë në rendin ndërkombëtar.
Vuçiçi mund të jetë larguar nga pushteti, por shumë prej politikave që karakterizuan qeverisjen e tij mund të mbijetojnë. Studentët ndryshuan historinë politike të Serbisë, por mbetet për t’u parë nëse do të ndryshojnë edhe kursin e saj në politikën e jashtme.

Most viewed in News
- 1
- 2
- 3
- 4
- 5

Most viewed in News
- 6
- 7
- 8
- 9
- 10
Related stories








- 1
- 2
- 3
- 4
- 5
- 6
- 7
- 8
- 9
- 10












Comments
Loading comments…