Kurti për protestat në Shqipëri: Ne jemi forcë qeverisëse, jo forcë protestuese

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se zhvillimet politike dhe protestat në Shqipëri po i ndjek me shqetësim, duke theksuar se Kosova nuk duhet të shihet si rivale e Shqipërisë.

Cogito
Cogito

Kurti për protestat në Shqipëri: Ne jemi forcë qeverisëse, jo forcë protestuese
Text

Kurti ka thënë se protestat në Shqipëri, të cilat sipas tij për rreth katër muaj ishin paqësore, në tetor u shoqëruan edhe me përplasje më të forta mes protestuesve dhe forcave të rendit.

“Shqipërinë e duam gjithmonë dhe pavarësisht rrethanave. Ajo është pjesë e pandashme e qenies sonë kombëtare. Prandaj zhvillimet atje i ndjekim me shqetësim, me kujdes, me përgjegjësi dhe gjithsesi me dashuri”, ka thënë Kurti.

Ai ka theksuar se përparimi demokratik i Shqipërisë është përgjegjësi historike kombëtare.

“Është e rëndësisë jetike që ne shqiptarët t'ia dëshmojmë vetes se dimë të ndërtojmë drejtësi e demokraci që i qëndron trysnisë së kapitalizmit dhe qeverisje që nuk i përkulet oligarkisë”, ka deklaruar ai.

Kurti ka komentuar edhe zërat që, sipas tij, kanë tentuar ta lidhin Lëvizjen Vetëvendosje me protestat në Shqipëri.

“Unë kam parë me habi zëra të ndryshëm që janë përpjekur t'ia faturojnë edhe Vetëvendosjes këto protesta që zhvillohen në Republikën e Shqipërisë. Por, të dashur delegatë të Këshillit të Përgjithshëm dhe aktivistë e anëtarë të tjerë, ne sot jemi forcë qeverisëse dhe nuk jemi forcë protestuese”, ka thënë Kurti.

Ai ka shtuar se LVV-ja nuk ka instrumentalizuar protesta dhe as nuk ka pranuar të instrumentalizohet nga të tjerët. “Ne jemi në krye të Qeverisë së Republikës së Kosovës e Kosova nuk është dhe nuk do të jetë kurrë rivale e motrës së saj. Ne gëzohemi për avancimet e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian apo për arritjet e ekonomisë dhe të turizmit në Shqipëri”, ka deklaruar kryeministri, raporton RTKLive.

Kurti ka shprehur dëshirën që arritjet e Shqipërisë të konsolidohen dhe të zgjerohen përmes projekteve të përbashkëta me Kosovën në fusha të ndryshme.

1 min read

Share this story

Comments

Loading comments…