
Bankat do të kenë akses në të dhënat shtetërore, projektligji përcakton kushtet dhe garancitë
Bankat dhe institucionet financiare do të mund të verifikojnë drejtpërdrejt të dhënat e klientëve në regjistrat shtetërorë, pa pasur nevojë që qytetarët të sigurojnë dokumente nga institucionet publike.

Aksesi do të kushtëzohet nga pëlqimi i klientit, ndërsa shkeljet do të ndëshkohen me gjoba deri në 10 milionë lekë.
Ndryshimet parashikohen në projektligjin “Për bazat e të dhënave shtetërore”, të hartuar nga Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit dhe të hedhur për konsultim publik.
Projektligji u njeh për herë të parë shprehimisht personave fizikë dhe juridikë privatë të drejtën për të aksesuar bazat e të dhënave shtetërore, sipas kufizimeve të përcaktuara për secilën bazë.
Gjithsesi, e drejta për të kërkuar dhe lexuar drejtpërdrejt të dhëna do t’u jepet vetëm subjekteve të licencuara që ushtrojnë veprimtari bankare ose financiare dhe kanë detyrim ligjor për përpunimin e tyre.
Sipas relacionit që shoqëron projektligjin, kuadri aktual ligjor nuk përcakton mekanizma që u mundësojnë institucioneve financiare verifikimin e informacionit drejtpërdrejt në regjistrat shtetërorë.

“Bankat dhe institucionet financiare kanë detyrim ligjor të identifikojnë klientin, të verifikojnë të dhënat e tij dhe të vlerësojnë rrezikun përpara se t’i ofrojnë një shërbim, si hapja e një llogarie ose dhënia e një kredie”, thuhet në relacion.
Aktualisht, institucionet financiare mbështeten te dokumentacioni që paraqet klienti. Sipas ministrisë, kjo zgjat procedurat, rrit kostot dhe krijon rrezik për përdorimin e dokumenteve të falsifikuara ose të vjetruara.
Read also:
A u përjashtuan Spiropali dhe Ndreca nga PS? Klosi sqaron: Nuk mund të jenë më pjesë e asnjë forumi të partisëProjektligji përcakton se, kur informacioni i kërkuar përmban të dhëna personale, aksesi lejohet “vetëm me pëlqimin e subjektit të të dhënave dhe vetëm për qëllimin e përcaktuar në pëlqim”.
Institucionet financiare do të kenë vetëm të drejtën e leximit të informacionit, pa mundësi për ta shtuar, ndryshuar apo fshirë atë.

Çdo akses do të regjistrohet, së bashku me identitetin e subjektit, datën, orën dhe qëllimin e përdorimit. Për aksesin e paautorizuar, përfshirë përdorimin e të dhënave përtej pëlqimit të dhënë, parashikohen gjoba nga 1 milion deri në 10 milionë lekë, kur shkelja nuk përbën vepër penale.
Ndryshimet shoqërohen me një projektligj tjetër për qeverisjen elektronike, që parashikon tarifa për aksesin e subjekteve private në të dhënat shtetërore. Të ardhurat do të derdhen në buxhetin e shtetit.
Sipas relacionit, niveli i tarifave do të përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave, ndërsa kostot e lidhjes teknike do të përballohen nga vetë subjektet private.
Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit do të kontrollojë ligjshmërinë e aksesit. Qeveria do të ketë tre muaj nga hyrja në fuqi e ligjit për të miratuar rregullat përkatëse të zbatimit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

Most viewed in News
- 1
- 2
- 3
- 4
- 5

Most viewed in News
- 6
- 7
- 8
- 9
- 10
Related stories
Live






- 1
- 2
- 3
- 4
- 5
- 6
- 7
- 8
- 9
- 10










Comments
Loading comments…